Një bashkëpunëtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës është dekonspiruar dhe ekzekutuar në Siri. Ai është vrarë në fillim të këtij viti, pak kohë pas dërgimit nga AKI-ja në cilësi të spiunit.
Viktima ka qenë i infiltruar brenda grupeve xhihadiste shqiptare, pjesë e organizatave terroriste, ka mësuar “Koha Ditore”.
Burime të ndryshme, përfshirë ato në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, kanë bërë të ditur se ky agjent i rekrutuar pas përfshirjes së kosovarëve në luftën e Sirisë është ekzekutuar nga afërsia. Këto burime kanë shprehur dyshimin se ai është dekonspiruar dhe është ekzekutuar.
Burime nga Agjencia kanë thënë se ai nuk është trajtuar mirë duke u lënë pa ndihmë dhe pa udhëzime të nevojshme.
Zyrtarët shtetërorë kanë heshtur për këtë. Kreu i AKI-së, Bashkim Smakaj, nuk u është përgjigjur pyetjeve të “Kohës Ditore”. Ai nuk ka sqaruar se në çfarë rrethanash është vrarë ky agjent. Gazeta nuk ka mundur të marrë qëndrim as nga Qeveria e Kosovës.
Për këtë vrasje Bashkim Smakaj nuk ka raportuar fare para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI’së.