Deputetët rrinë, marrin 1500 euro në muaj

Ngërçi politik po u shkon për shtati me së shumti deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së pesë. Edhe pse nuk janë duke bërë asnjë ditë punë në Kuvendin e Kosovës, ata vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre sikur të punon pa ndërprerë.

Kështu, secili deri tash merr nga 2.208 euro, të cilat gjithsejtë bëjnë 229.680 euro në dëm të buxhetit të Kosovës. Kësaj shume i shtohen edhe qindra mijëra euro nga stafi i Kuvendit të cilët në mungesë të funksionimit të grupeve parlamentare dhe dhjetëra komisioneve, vazhdojnë të marrin paga pa asnjë angazhim.

Kështu për gjysmën e korrikut dhe gushtit, ata dëmtojnë buxhetin e Kosovës me mbi 200 mijë euro, pa bërë asnjë punë.

Nga një 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, 105 prej tyre do të marrin pagën e plotë për muajin gusht prej 1 mijë e 488 euro, pa e bërë asnjë aktivitet në organin më të lartë ligjvënës në vend, ndërsa, 15 deputetë tjerë, do të vazhdojnë t’i marrin pagat aty ku janë të angazhuar, në Qeveri, Universitet apo në Asamble Komunale.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se tashmë janë në proces pagat e muajit gusht për deputetët e legjislaturës së pesë.

“Për muajin gusht në proces është paga për 105 deputetë, ndërsa 15 tjerë vazhdojnë me paga sipas angazhimeve tjera, si Qeveri, Universitet ose Asamble Komunale. Ata 105 deputetë do t’i marrin nga 1 mijë e 488 euro pagë bruto”, ka thënë Krasniqi përmes telefonit.

Edhe muajin e kaluar ndonëse jo pagën e plotë, deputetët kishin marr gjysmën e pagës së tyre edhe pse në Kuvend kishin hyrë vetëm në seancën konstituive.

Ndërkohë, shoqëria civile e sheh këtë gjë si papërgjegjësi morale të politikanëve, ndonëse ligjërisht kanë të drejt, përderisa Kushtetuta qartëson se mandati i deputetit fillon me certifikimin e zgjedhjeve.

Driton Selmanaj nga Instituti demokratik i Kosovës, thotë për KosovaPress se kjo është një situatë e pazakonshme dhe ka ardhur si pasoj e tekeve dhe papërgjegjësisë së lidershipit të partive në Kosovë, të cilët kanë sjell situata të tilla ku pa punuar asnjë ditë Kuvendi i Kosovës, deputeti paguhet me pagë të plotë.

Selmanaj thotë se ajo që është edhe më shqetësuese është se edhe deputetët e vjetër që e kanë kryer mandatin, për një vit ata marrin rrogën e plotë nëse nuk gjejnë punë.

“Mendoj që nëse do të duhej të kishte një pik morali në politikë ndoshta kjo legjislaturë këta deputetë, do duhej të hiqnin dorë se paku për 50 për qind të pagës së tyre për shkak se nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme, asnjë ditë angazhim, përveç atë që janë duke i përcjell ngjarjet politike ngjashëm sikurse ne nga televizionet”, thotë Selmanaj.

E duke u nisur edhe nga fakti se çfarë pagash të mëdha kanë deputetët, Selmanaj thotë se kjo është një barrë e rënd për taksapaguesit dhe për buxhetin e shtetit.

Fidan Kalaja nga Lëvizja Fol thotë se deputetët e Kuvendit nuk e kanë merituar pagën në të shumtën e rasteve as kur ka funksionuar normalisht, Kuvendi i Kosovës, e lëre më tash kur asnjë deputetë asnjë punë se bënë gjatë kësaj kohe.

Kalaja shton se kjo situatë do duhej të reflektonte dhe ndoshta të bëheshin edhe ndryshime apo edhe të përcaktohej me bazë ligjore se nëse vendi gjendet në situata të tilla, deputetët mos të paguheshin deri në momentin e fillimit të funksionimit të Kuvendit.

Por, në anën tjetër Selmanaj thotë se kjo çështje është kategori kushtetuese dhe nëse do të tentohej të bëhej ndonjë ndryshim, atëherë do duhej ndryshuar Kushtetuta.

Megjithatë, sipas tij, vet politikanët do duhej të reflektonin nëse do kishin sado pak moral.

Muajin e kaluar, pagat i kanë marrë 102 deputetë nga 720 euro, që në total është 73 mijë e 440 euro. Ndërsa, 18 deputetë tjerë muajin e kaluar janë paguar në bazë të angazhimit ku janë. /KP/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat