Mustafë Ahmeti, prindi i Hafiz Ahmetit i arrestuar së bashku me grupin e akuzuar për terrorizëm thotë për rajonipress se djali i tij është plotësisht i pafajshëm.
“Unë as avokat s`kam marrë sepse e di që Hafizi s`ka lidhje me akuzat e përfolura. Lirojeni djalin sepse nuk keni asnjë provë”, u drejtohet Mustafa organeve të hetuesisë.
Mustafë Ahmeti ka qenë i bindur se djali i tij Hafizi (1994) do të lirohet i pari nga grupi që është arrestuar për terrorizëm.
Mustafa thotë se është zhgënjyer dhe mërzitur kur nuk e ka parë emrin e Hafizit me ata që janë liruar dje.
“Unë s`kam marrë as avokat sepse e di që djali im është plotësisht i pafajshëm. Hafizi është më i riu nga të gjithë të arrestuarit dhe asnjë provë deri tashti nuk e kanë që ai të akuzohet” shprehet ai, raporton rajonipress.
Mustafë Ahmeti thotë se hetuesit dhe prokuroria duhet ta shpejtojnë rastin dhe ta lirojnë Hafizin sepse ai s`ka asnjë lidhje direkte apo në forma të ndryshme me të dyshuarit e tjerë.
”Lirojeni djalin sepse nuk keni prova e as dëshmi” porosit Mustafa organet hetuese.
Mustafa tha se ka pritur që djali i tij të fejohet dhe të punësohet këtë vit dhe nuk e ka menduar asnjëherë se ai do të burgoset.
Hafiz Ahmeti (1994) është arrestuar nga policia së bashku me grupin prej 40 vetave. /rajonipress/