Një shqiptar i plagosur dhe një i zhdukur në kufirin me Serbinë

Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Zërin” se një qytetar i Kosovës është në duar të organeve serbe, kurse për personin e dytë nuk ka të dhëna se ku ndodhet.

Brahim Sadriu nga zyra për informim e Policisë ka deklaruar se ka marrë një deklaratë nga vëllau i një prej të ndaluarve nga organet serbe, dhe se ky person që kishte shkuar të pres dru ndodhet në territorin serb.

“Nuk kemi informacione tjera. Ai ndodhet në duar të palës serbe sipas asaj që na kanë thënë familjarët”, ka thënë Sadriu.

Gazeta ka konfirmuar se personi Naim Zeqiri rreth 34 vjeçar është plagosur nga forcat serbe në vendin e quajtur Matrovë.

Në familjen e tij në këto momente po mbretëron gjendje paniku dhe shqetësimi për familjarin e tyre që ndodhet në duar të organeve serbe në Serbi. Safet Zeqiri, vëllau i Naimit ka thënë për “Zërin” se janë të shqetësuar pasi që nuk kanë asnjë informacion si është gjendja shëndetësore e vëllait.

Ai tregon se në momentin e fundit që kanë kontaktuar me të në telefon, është përgjigjur një polic serb, i cili iu ka deklaruar se ai është plagosur.

“Polici është lajmëruar në telefon dhe ka thënë ‘si e ka emrin se nuk po dinë të flas serbisht’.Ne i kemi treguar emrin dhe kemi pyetur për të na është thënë se është i plagosur në këmbë. Kaq dimë. Më nuk kemi pasur asnjë kontakt”, tha ai për “Zërin” duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ndërhyjë dhe kontaktojë me palën serbe për fatin e familjarit të tyre.

“Askush nga policia e as qeveria-MPB-ja nuk na ka kontaktuar, madje as policia nuk ka qenë në shtëpi të marrë informacione nga ne”, ka thënë ai.

Ai tha se vëllai i tyre (Naimi) kishte shkuar të pres dru me djalin 12 vjeçar dhe me disa bashkëfshatarë tjerë, të detyruar siç shprehet ai nga skamja. Në familjen Zeqiri nga të katër vëllezërit asnjëri nga ta nuk është i punësuar.

Naimi sipas Safetit kishte shkuar të marrë dru për vete në mal, pasi kishte mbetur pa to. Sipas tij djali 12 vjeçar i Naimit është tronditur dhe nuk është në gjendje as të përshkruajë sesi ka ndodhur ngjarja dhe momentin e fundit kur është ndarë nga i ati.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat