“Mendoj se Kosova nuk është në pozicion që t’i mbajë ligjërata askujt për sa i përket të drejtës ndërkombëtare. Nuk e di pse ju përmendni Rusinë në dialogun për Serbinë”, ka thënë Daçiq në replikën e tij ndaj ministrit kosovar në detyrë, Enver Hoxhaj.
Daçiq i ka lutur edhe pjesëtarët tjerë të qeverisë së Kosovës që t’i ulin zërat dhe të mos bëhen “më katolikë se Papa”.
Më tej ai ka përmendur edhe pjesëmarrësit në luftërat e huaja, duke thënë se ka edhe nga Serbia të tillë që marrin pjesë në këto luftëra. “Ne sot po flasim për Kosovën dhe për zotimet që ju i keni marr. Për marrëveshjen që unë e kam nënshkruar bashkë me Hashim Thaçin”, ka thënë më tej Daçiq.
“Ne duam që të arrijmë një zgjidhje politike me ju. A mendoni se kjo zgjidhje është gjetur për sa kohë që ju e keni shpallur njëanshëm pavarësinë? Unë as që reagova për këtë ngase mendova se është në kundërthënie me të drejtën ndërkombëtare”, ka shtuar ministri serb.
“A po dëshirojmë t’i kthehemi të kaluarës apo të shënojmë progres? Nuk besoj se unë apo ti nuk jemi në gjendje që t’i zgjidhim krizat botërore, por le t’i zgjidhim këto krizat tona”, ka porositur Daçiq.
“Duhet të jemi të vëmendshëm për atë çfarë flasim. Unë dua të jem i këndshëm, ta respektoj homologun me të cilin kam qenë edhe në bisedime. Kemi qenë pardje në Berlin dhe kemi diskutuar për të ardhmen, por nëse e kaluara është e vetmja e ardhshme për ne, është e padobishme të flasim më tutje”, ka thënë për fund Daçiq.
I tërë ky reagim i ministrit serb erdhi pas deklaratës së ministrit Hoxhaj, i cili e akuzoi Rusinë për agresion në Ukrainë.
Hoxhaj theksoi edhe një herë shqetësimin e shtetit të Kosovës me krimet që po ndodhin në lindje të Ukrainës dhe papajtueshmërinë e Kosovës me agresionin rus në Krime.
Ministri në detyrë ka risjellë në vëmendjen e KS të OKB-së edhe përfshirjen e serbëve përkrah forcave pro-ruse në Ukrainë, duke cenuar integritetin territorial të këtij shteti.