Der Spiegel: Amerikanët përgjojnë autoritetet turke

E përjavshmja gjermane Der Spiegel tregoi se shërbimet sekrete amerikane dhe britanike kryenin përgjime intensive elektronike ndaj qeverisë turke.

Autoritetet turke thërritën sot zëvendësambasadorin amerikan në Ankara menjëherë pas informacioneve të medias për aktivitete spiunazhi të SHBA-së në Turqinë, njoftoi sot një zëdhënës i qeverisë turke.

“Ambasadori i ri amerikan ende nuk ka ardhur por i ngarkuari i tij për ta zëvendësuar u thërrit në ministrinë e Punëve të Jashtme për shpjegime”, njoftoi zëvendëskryeministri, Bulent Arinç, pas një mbledhje të këshillit të ministrave.

Në numrin e saj të publikuar të dielën, e përjavshmja gjermane Der Spiegel tregoi se shërbimet sekrete amerikane dhe britanike kryenin përgjime intensive elektronike ndaj qeverisë turke.

Sipas “Der Spiegel”, që thekson se këto informacione i ka marrë nga dokumentet e publikuara nga Edward Snowden, “Agjencia e Sigurisë Kombëtare Amerikane (NSA) përgjon që prej vitit 2006 kompjuterët e përgjegjësve më të lartë turq për të njohur më mirë synimet e kreut islamiko-konservator Rexhep Tajip Erdoan”.

“NSA-ja e ka vendosur Turqinë në të njëjtin nivel me Venezuelën, madje në një nivel më të lartë se sa Kuba, në çështjet e prioritetit amerikan mbi grumbullimin e informacioneve”, shkruhet në të përditshmen gjermane.

Në artikullin e publikuar nga revista gjermane shpjegohet gjithashtu se njëkohësisht që amerikanët përgjonin autoritetet e Ankarasë, ata janë edhe furnizuesi kryesor me informacione në luftën kundër terroristëve të PKK.

Para dy javësh “Der Spiegel” kishte publikuar një artikull ku theksohej se shërbimet sekrete gjermane përgjonin gjithashtu Turqinë./trt/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat