Prokuroria thotë se janë duke e marrë në pyetje dr. Shefqet Krasniqin

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, dr. Shefqet Krasniqi, është duke u intervistuar në Policinë e Kosovës.

“Shtëpia e hoxhës është bastisur nga ana e Policisë së Kosovës. Tash për tash, ai është në intervistim dhe nuk ka ndonjë vendim për ndalim; për më tutje nuk e dimë se si do të rrjedhin gjërat, në bazë të intervistës së tij”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria Speciale.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke kryer një operacion, por nuk ka dhënë detaje për natyrën e tij apo vendin se ku po realizohet.

“Zyra për informim e Policisë se Kosovës konfirmon se një operacion policor është duke u realizuar, mirëpo natyrën e operacionit pritet ta konfirmojmë pasi t’i kompletojmë informacionet zyrtare nga terreni”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Mediat në Prishtinë raportojnë se operacioni ka në shënjestër persona të dyshuar për veprimtari radikale, por këto njoftime nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.

Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se këto informacione i ka marrë nga mediat dhe se nuk mund të deklarohet për më shumë detaje.

Në muajin gusht, policia ka arrestuar mbi 40 persona, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të shpallura terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe nën dyshime të tjera që lidhen me radikalizmin fetar.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat