Shqiptarët e veriut në gjendje të rëndë, kërkojnë ndihmën e Qeverisë

Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës konsiderojnë se gjendja e tyre e përgjithshme në këtë pjesë të Kosovës muajt e fundit është rënduar dhe është bërë e pa qëndrueshme.

Sipas tyre, një gjendje e tillë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë gjatë tetë viteve të fundit sa i përket aspektit ekonomik dhe të investimeve.

Emir Azemi, banor i kësaj pjese të qytetit, njëherit zëvendës kryesues për komunitete në Kuvendin Komunal të veriut të Mitrovicës, bëri të ditur për KosovaPress se shumë qytetarë të veriut, nevojtarë, po iu drejtohen organeve komunale në jug për ndihmë rreth aspekteve të ndryshme, por në shumë raste ata po i drejtojnë në veri, me arsyetimin se tani atje ka organe komunale.

“Krejt kjo po zhvillohet pa sukses, sepse ende në veri s’kemi organe të formuara, pos zyrës administrative e cila funksionon me kapacitete të limituara. Dua të njoftoj opinionin e gjerë se edhe më parë ka pasur administratë të UNMIK-ut, zyrë administrative dhe struktura të Serbisë të cilat kanë vepruar në këtë pjesë, por asnjëherë dhe në asnjë mënyrë organet komunale nuk i kanë neglizhuar kërkesat e qytetarëve shqiptarë të veriut, por në mundësitë e tyre ju kanë dalë në ndihmë”, ka thënë Azemi.

Në emër të këtyre banorëve, ai ka kërkuar urgjentisht nga qeveria qendrore, themelimin e një fondi prej 7 milionë eurosh, ku brenda periudhës së caktuar kohore, do të rindërtoheshin 300 shtëpi të djegura, si dhe do të renovoheshin mbi 400 banesa të dëmtuara e uzurpuara të shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, kjo do të kontribuonte në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme, sidomos në fushën e banimit, pasi ky është problemi kyç i mijëra refugjatëve të cilët jetojnë tash e 15 vite me qira dhe në gjendje të rëndë. /KP/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat