Në libër-leximin e klasës së parë, me autor Arif Demollin, botimi i 11-të, të botuar nga Ministria Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në vitin 2012, respektivisht në tregimin “Tri të vjela nga një pemë” fq. 52, në një pjesë të dialogut në mes pashait dhe plakut shkruan se “as allahu nuk e di nëse do të arrish t’i shohësh frutat e kësaj peme”.
Kjo ka qenë arsyeja që nëpër rrjetet sociale ka filluar një fushatë përmes së cilës besimtarët myslimanë denoncojnë këtë gabim trashanik të bërë në këtë tekst shkollor për nxënësit e klasës së parë.
Ajo që e ka nxitur protestën virtuale të besimtarëve myslimanë, në këtë tekst, përveç shkrimit të emrit të Allahu me të vogël, është edhe mohimi i njërës nga cilësitë kryesore të Allahut, e që është cilësia e të e të Gjithëdijshmit - pa dijen e të cilit nuk ndodh asgjë, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Resul Rexhepi, në një prononcim për Telegrafin iu ka bërë thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë që të botojnë ose shkruajnë diçka në kontekstin fetar(Islam) fillimisht të konsultohen me institucionin përgjegjës për këtë gjë, që sipas tij është BIK-u.
Ai madje ka thënë se gabime të tilla mund të ndikojnë në prishjen e mirëkuptimin dhe mirëbesimit në mes njerëzve (besimtarëve) në vendin tonë.
“Unë them se nuk është mirë që të përsëriten këto gabime, të cilat fatkeqësisht janë gabime elementare. Ndoshta për dikë këto gabime duken të thjeshta, mirëpo për besimtarët myslimanë një gjë e tillë nënkupton lëndim të ndjenjave (bazamentit) të tyre fetar”, ka thënë Rexhepi.