(I plotësuar) Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani, ka hedhur poshtë raportimet se ka thirrur mbledhje për shkarkim të Gëzim Kelmendit. Agani për lajmi.net ka thënë se në mbledhje do të diskutohet vetëm për vendimin e Kelmendit për tu larguar nga GP i kryesuar nga PDK-ja.
Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani, ka mohuar raportimet në media se ka thirrur një mbledhje të Kryesisë së Partisë për ditën e nesërme, ku do të merrej vendim për shkarkimin nga partia të deputetit Gëzim Kelmendi i cili është shprehur se nuk do ta votojë kandidatin e PDK-së, për kryetar Kuvendi.
Agani në një prononcim për lajmi.net ka thënë se kjo është e pa vërtet. Ai ka sqaruar se nesër do të ketë mbledhje për të diskutuar për vendimin e Gëzim Kelmendit, por jo për ta shkarkuar atë.
“Absolutisht e pavërtetë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë kërkese për shkarkim, por për diskutim për vendimin e deputetit Kelmendi, për tu larguar nga Grupi Parlamentar i koalicionit të Misionit të Ri”, ka thënë Agani për lajmi.net.
Gëzim Kelmendi, i cili është edhe nënkryetar i PD-së, tashmë ka marrë vendim që të mos e votojë kandidatin e PDK-së, për kryetar të Kuvendit, duke u thirrur në atë se kjo parti nuk ka respektuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor mes PDK-së dhe PD-së, që të hiqet udhëzimi administrativ që ndalon mbulesën e vajzave në shkollat publike të Kosovës.
Kelmendi po ashtu ka marrë vendim që të mos jetë as pjesë e Grupit Parlamentar që e udhëheq PDK.
Agani thërret Kryesinë e PD-së për ta shkarkuar Kelmendin?
Mësohet se kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka thirrur një mbledhje të Kryesisë së PD-së për nesër në ora 17:00, ku temë do të jetë shkarkimi i deputetit Gëzim Kelmendi nga detyra e nënkryetarit të partisë.
“Nesër në mbledhje të Kryesisë do të diskutohen qëndrimet e deputetit Gëzim Kelmendi, i cili është shprehur publikisht se nuk do ta votoj kryeparlamentarin e propozuar nga PDK-ja dhe javën e kaluar është tërhequr nga Grupi Parlametar i PDK-së. Ne nuk jemi krejt dakord me vendimin e tij për mos votimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit të propozuar nga PDK-ja. Mirëpo, jemi kategorikisht kundër që një deputet të shkarkohet dhe largohet nga PD-ja për shkak të raportit të tij ndaj një partie tjetër, në këtë rast PDK-së, sepse në fund të fundit PDK-ja e ka shkelur premtimin për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon vajzat me mbulesë të vijojnë mësimin”, tha një zyrtar i lartë i PD-së për Veriu.info.
Ai thotë se deputeti Gëzim Kelmendi, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i PD-së, ka mbështetje të fuqishme të strukturave të PD-së, përfshirë edhe disa prej nënkryetarëve të partisë dhe një pjesë të Kryesisë.
“Nëse kalon propozimi i kryetarit Ferid Agani në mbledhjen e nesërme të Kryesisë, atëherë kjo çështje do t’i kaloj Këshillit Drejtues të partisë për ta vendosur”, thotë zyrtari i lartë i PD-së për Veriu.info.
Burimet të Veriu.info bëjnë të ditur se ky veprim i Ferid Aganit, është një lloj mase paraprake e tij, në mënyrë që deputeti Gëzim Kelmendi të mos mundet ose t’i vështirësohet shumë mundësia për t’i bërë konkurrencë në garën për kryetar të PD-së, në zgjedhjet e brendshme partiake të cilat pritet të zhvillohen pas disa muajsh. /Veriu.info/