Milionat e “Al Haramain” në Kosovë (Foto)

Organizata “Al Haramain”, për të cilën është raportuar për lidhjet e saj me organizatën terroriste “Al-Qaeda”, për disa vjet me radhë në bashkëpunim me Qeverinë e Përkohshme, nga viti 1999 deri në vitin 2005, kanë sjellë miliona euro në sektorë të ndryshëm. Shuma marramendëse të hollash kanë ardhur në Kosovë përmes kësaj organizate, bashkë me Komitetin e Bashkuar Saudit për Ndihmë Popullit të Kosovës (SJRC). Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “Zëri”, në detaje bëhet i ditur aktiviteti i kësaj organizate. Qeveria e Përkohshme nga këto dy organizata ka pranuar afër 18 milionë euro në formë ndihme. Madje para të gatshme nga këto organizata kanë marrë edhe disa medie në Kosovë.

Në një përmbledhje prej rreth 45 faqesh, me titull “Pjesë nga aktiviteti i Komitetit të Bashkuar Saudit në Kosovë”, shpalosen detaje për miliona euro të sjella në Kosovë.

Pranim-dorëzimi i këtyre mjeteve ishte bërë në prani të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Këto organizata pos shumë ndërtimeve në vend, kanë investuar edhe në ndërtimin e 9 xhamive në tërë Kosovën.

Image

Për lidhjen e Osama Bin Laden-it me këtë organizatë, e cila ka ardhur në Kosovë pas luftës, kanë raportuar edhe kabllogramet e zbuluara nga “Wikileaks”, ndërkohë që në vitin 2003 sekretari i atëhershëm i Departamentit të Shtetit Amerikan, Colin Powell, ka shkruar se “dokumentet e zëna në Ballkan tregojnë se punëtorët e “Al Haramain” në Shqipëri, Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë përkrahin Al – Qaedan”. Powel shkruante se pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, zyrtarët e zyrës së “Al-Haramain” në Kosovë shkatërruan të gjitha dokumentet që mund ta lidhnin organizatën me aktivitete militante apo terroriste. Për dokumentin e Powell kanë raportuar disa herë mediat e huaja dhe vendore. Në vitin 2004 nga SHBA-ja kishin shpallur këtë organizatë me lidhje terroriste, ndërkohë që Komitetit i Këshillit të Sigurimit të OKB-së i kishte ndaluar të gjitha aktivitetet e saj.

“Qendra Laparoskopike e Princit Sulltan”

Mirëpo, kjo organizatë e cila për disa vite me radhë, e vendosur në një objekt në lagjen “Velania” në Prishtinë, kishte bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Përkohshme në sektorë kyçë të vendit.

Në nëntor të vitit 1999, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), kishte pranuar rreth 2 milionë marka gjermane vetëm për Qendrën Laparoskopike. Kjo qendër sot e asaj dite mban emrin “Qendra Laparoskopike e Princit Sulltan”. Për të përdorur aparaturat e sofistikuara që kishte dhuruar Komiteti, mjekët kosovarë i kishte trajnuar themeluesi i kësaj qendre, dr. Faris el Hadi. “Komiteti i Bashkuar Saudit për Ndihmë Kosovës ka paraparë që të gjitha shpenzimet t’i mbulojë për 5 vjetët e ardhshëm”, thuhet ndër të tjera në materialet e kësaj organizate. Në shtator të vitit 1999, SJRC kishte marrë përsipër meremetimin e 10 shtëpive të shëndetit. Këto shtëpi shëndetësore të cilat u meremetuan nga ky Komitet, ishin në komunën e Besianës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Skenderaj, Klinë, Deçan, Gjakovë, Rahovec, Ferizaj dhe Kaçanik. Totali i shpenzimeve i këtij projekti kap shumën e 2 milionë e 400 mijë markave gjermane.

Image
 
Rreth 100 mijë euro shpenzime SJRC-ja kishte edhe në ofensivën që kishte marrë për të kontrolluar mbi 24 mijë e 500 nxënës nga 36 shkolla për sëmundjet ngjitëse.
 
Financuan specializimin e 20 mjekëve kosovarë
 
Gjatë kësaj periudhe kohore, spitali i Universitetit të Prishtinës dhe Departamenti për Shëndetësisë të Kosovës, i kishte bërë kërkesë SJRC-së, që t’ua hiqte të gjitha shpenzimet për specializimin e 20 mjekëve kosovarë. “Qëndrimi i tyre në Arabinë Saudite ishte nga tre muaj deri në gjashtë muaj”, thuhet në dokumentin ku është bërë përmbledhja e aktiviteteve të Komitetit. Këtu ishin llogaritur shpenzimet për biletë, qëndrimi dhe jetesa e tyre në Arabi, derisa specializonin. SJRC-ja po ashtu kishte ndarë rreth 1 milion e 400 mijë marka gjermane edhe për ndihmën mjekësore individuale të 76 personave të cilët kishin vuajtur me sëmundje të rënda.]
 
360 tonë ilaçe
 
Qeveria e Përkohshme e Kosovës, menjëherë pas lufte kishin pranuar nga Komiteti SJRC për 3 vjet rreth 360 tonë barna. Transporti deri në Kosovë ishte bërë nga Arabia Saudite me 7 aeroplanë dhe 15 maune. “Transporti u bë me aeroplanë dhe anije deri në Selanik e pastaj me maune”, thuhet ndër të tjera në këtë përmbledhje. Kjo ndihmë totale kishte kapur shifrën e mbi 2 milionë e 600 mijë markave gjermane. SJRC-ja po ashtu kishte ndihmuar institucionet e Kosovës me 220 mijë marka gjermane në shtypjen e programeve mjekësore për nevojat e spitaleve në gjithë territorin.
 
6 milionë në sektorin e ndërtimit
 
Ky Komitet gjatë viteve 1999-2002 kishte mbuluar shpenzimet e 28 shkollave, të cilat ishin meremetuar dhe ndërtuar. Shtatë prej tyre ishin meremetuar në rrethin e Gjilanit, nëntë në Prizren, 6 shkolla në rrethin e Prishtinës dhe nga 2 shkolla në rrethin e Pejës dhe Gjakovës. Në vazhdën e këtyre shkollave është edhe shkolla e mesme e mjekësisë në Prishtinë, “Dr. Ali Sokoli”, medreseja “Alaudin” si dhe ishte kompletuar laboratori i Fakultetit Teknik pranë UP-së. Projekti me shtëpitë e jetimëve, po ashtu kishe shpenzuar rreth 2 milionë e 100 mijë euro. Nga këto mjete ishin ndërtuar 200 shtëpi nga rrethe të ndryshme të Kosovës. Ky Komitet ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe në gjithë territorin e Kosovës edhe 9 xhami. Po ashtu, ky Komitet kishte ndërtuar dhe kishte meremetuar në total 269 shtëpi nga të gjitha komunat e Kosovës. Totali i këtyre punimeve kap shifrën e 2 milionë e 419 mijë e 978 marka gjermane.

Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat