Forcat e Frontit Islamik kanë vrarë 50 ushtarë të regjimit sirian, kur ata u përpoqën të hyjnë në rajonin Handarat, në veri të Alepo-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dielën, zëdhënës i brigadës Teuhid, i Frontit Islamik, Salih Anadani konfirmoi për AA vrasjen e ushtarëve të regjimit të presidentit të Sirisë Bashar al Asad. Zëdhënësi deklaroi gjithashtu se ata kishin plagosur edhe dhjetëra ushtarë të regjimit sirian.
Salih Anadani ka pohuar se tre ushtarë u kapën rob, duke përfshirë një iranian dhe një afgan. Bëhet e ditur se sulmi ndaj regjimit është realizuar në bashkëpunim me forcat e tjera të armatosura të opozitës.
Luftimet midis Frontit Islamik dhe forcave të regjimit sirian të Asad kanë vazhduar në këtë rajon që nga e premtja e kaluar. Anadani tha se pas luftimeve intensive, Fronti Islamik kishte rifituar kontrollin e Handarat dhe El Mellehe.
Më shumë se 190,000 njerëz janë vrarë në Siri që nga fillimi i konfliktit në fillim të vitit 2011, sipas shifrave të fundit të OKB-së të publikuara në muajin gusht.