Edhe pse Kuvendi nuk është aktiv, deputetët marrin pagë prej 1488 eurosh. Që nga momenti kur janë betuar e deri më tash, 107 deputetë janë paguar nga buxheti i shtetit me 398 mijë e 40 euro.
Rrallëherë u takuan në sallën e Kuvendit të Kosovës, prandaj muhabetet e tyre aty ishin të pakta. Ndonëse më 17 Korrik, kur edhe nisi seanca konstituive e legjislaturës së 5-të, të zgjedhurit e popullit e dhanë betimin se do të punojnë me dinjitet dhe për interesa të shtetit, në këtë sallë u bë shumë pak debat. Por, joefikasiteti nuk ndikoi në pagat mujore. Ata vazhdojnë t`i marrin rrogat.
RTK ka kontaktuar me disa prej tyre dhe ata kanë konfirmuar se në fund të muajit shtator u është dhënë rroga e tretë.
Meqë seanca e parë e konstituimit të Kuvendit ishte mbajtur më 17 Korrik, atë muaj, deputetët kanë marrë gjysmë page, në vlerë prej 744 eurove.
Ndërsa në gusht e shtator ata janë paguar me rrogë të plotë, vlera bazë e të cilës është 1 mijë e 488 euro.
Në sekretariatin e Kuvendit të Kosovës thonë se këtë shumë e kanë gëzuar 107 deputetë.
Për këtë periudhë gati tremuajshe i bie që një deputet i Kosovës, arkës së shtetit i ka kushtuar 3 mijë e 720 euro, ndërsa komplet legjislatura e re ka zbrazur buxhetin për 398 mijë e 40 euro. /rtk/