(I plotësuar) Koha.net nga burime zyrtare mëson emrat e nëntë të arrestuarve.
Të arrestuarit janë: Lulzim Brovina, Borçe Petrovski, Ali Hocogllu, Astrit Bakiqi, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Eefedin Muhaxheri, Murat Abazi dhe Reshat Emra, kurse janë intervistuar edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, Gani Shabani, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Njazi Gashi, ish-drejtor i QKUK-ut.
Po ashtu Koha.net ka siguruar edhe dokumentin zyrtar të Prokurorisë Speciale, të cilin po ia bashkëngjisim informatës.
Ja kush janë dhe pse u arrestuan mjekët dhe zyrtarët e MSH-së
Nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Njësiti për Krime Ekonomike nga Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion të gjerë në Prishtinë dhe Pejë, ku ka arrestuar nëntë persona.
Ja çfarë thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës:
Nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Njësiti për Krime Ekonomike nga Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion të gjerë në Prishtinë dhe Pejë, ku ka arrestuar nëntë persona.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë rast, në qershor të vitit 2014, ka nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve kundër: G.Sh., F.A., L.B., B.P., A.H., A.B., N.Z., D.G., Nj.G., E. M., M.A. dhe R.E.. Prej këtyre personave, disa janë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa të tjerë janë mjekë.
Për këta të pandehur ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik nr.04/L-042, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private: Internacional Medicine Hospital, më seli në Prishtinë dhe INTERMED sh.p.k. më seli në Prishtinë, pa shpallur fare tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.
Me këto veprime, të pandehurit ua kanë mundësuar spitaleve private Internacional Medicine Hospital (IHM) sh.p.k. dhe INTERMED sh.p.k. përfitimet materiale, duke ua paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, shpenzimet për pacientët që dërgoheshin nga institucionet publike shëndetësore në këto spitale private, në kundërshtim më Udhëzimin Administrativ nr.02/2012.
Po ashtu në vend të pagesave prej 70% të shumës për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore, kanë paguar deri në 100% të këtyre shpenzimeve, për këto trajtime shëndetësore, duke përfshirë edhe koronarografinë, edhe pse koronarografia kryhej edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Disa nga të pandehurit kanë marrë ryshfet nga dy klinikat private të lartcekura, ndërsa zyrtarët e klinikave u kanë dhënë ryshfet atyre, për t’i dërguar pacientët në klinikat e tyre. Njëri nga këto spitale nuk ka pasur fare licencë pune dhe gjithashtu edhe mjekët që kanë punuar në atë spital nuk kanë licencë për kryerjen e intervenimeve mjekësore në zemër, e të cilat i kanë kryer.
Me ketë të pandehurit dyshohet të kenë kryer e veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 dhe 2.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; “Marrje e ryshfetit”, nga neni nga neni 428 paragrafi. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; “Dhënie e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi. 3 lidhur më paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”, nga neni 262 paragrafi. 1 lidhur më nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj nëntë personave të arrestuar dhe do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kërkesën për caktimin e paraburgimit prej një muaji për të nëntë të ndaluarit.
Ministri Agani po merret në pyetje, ja emrat e kardiologëve të arrestuar
Policia e Kosovës aktualisht është duke e intervistuar ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani.
Intervistimi po kryhet në zyrën e ministrit, derisa nuk dihet nëse marrja në pyetje po bëhet në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit.
Express ka siguruar emrat e disa mjekëve të arrestuar mëngjesin e sotëm.
Daut Gorani, Nexhmi Zeqiri janë dy nga kardiologët e arrestuar. I arrestuar bashkë me ata është edhe një infermier.
Arrestohen nëntë zyrtarë shëndetësorë, i dyshuar është edhe ministri Agani
Nëntë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të spitaleve dhe klinikave private, ndër ta edhe doktorë, janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes.
Sipas një burimi brenda Policisë së Kosovës, Njësiti për Krime Ekonomike ka kryer një operacion të gjerë në Prishtinë dhe Pejë, që ka të bëjë me personat që dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
“Ata dyshohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, që ka të bëjë me pajisjet shëndetësore, sidomos me stendat që përdoren tek pacientët e sëmurë nga zemra”, ka thënë për lajmi.net, ky burim me kusht anonimiteti.
Sipas këtij burimi, Prokuroria ka vërejtur se përdorimi i stendave të dyshimta, të skaduara afati, si dhe vendosja e tyre nga doktorë jokompetentë, mund të ketë çuar në vdekjen e pacientëve, që deri tani e ka çuar numrin e tyre mbi 100.
“Përveç të arrestuarve, i dyshuar në këtë rast është edhe vet ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë burimi i lajmi.net, duke bërë të ditur se aksioni i policisë është duke vazhduar. /lajmi.net/