Numri i të vdekurve për shkak të epidemisë Ebola kaloi 4.000 persona, sipas bilancit të fundit të OBSH-së, i publikuar të premten në Gjenevë.
Sipas këtij bilanci, që përfundon më 8 tetor, kishte gjithsej 8.399 raste të regjistruara në shtatë vende, duke shkaktuar 4.033 të vdekur.
Bilanci i më parshëm, që mbyllej më 5 tetor, fliste për 8.033 raste dhe 3.865 të vdekur.
Shtatë vendet e prekura janë ndarë në dy grupe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), i pari përbëhet nga Guinea, Liberia dhe Sierra-Leone, ose tre vendet më të prekura, ndërsa i dyti nga Nigeria, Senegali, Spanja dhe SHBA-të.
Në grupin e parë, Liberia, vendi më i prekur nga epidemia, numëron 4.076 raste dhe 2.316 të vdekur.
Në Sierra-Leone, OBSH-ja ka regjistruar 2.950 raste dhe 930 të vdekur.
Përfundimisht në Guine, nga ku u përhap epidemia në dhjetor 2013, janë regjistruar 1.350 raste dhe 778 të vdekur.
Personeli, që përkujdeset për të sëmurët, vazhdon të paguajë një çmim të lartë në këtë vend me 416 raste dhe 233 të vdekur.
Në grupin e dytë, në Nigeri, numri i rasteve dhe vdekjeve ka mbetur i pandryshuar me 20 raste dhe 8 të vdekur.
Sipas raportit të fundit të OBSH-së, flitet për një të vdekur në SHBA, një të sëmurë në Spanjë dhe një në Senegal.
Në Republikën Demokratike të Kongos, ku është përhapur një version ndryshe i epidemisë Ebola nga ai që ka goditur Afrikën Perëndimore, OBSH-ja numëron 71 raste dhe 43 vdekje, sipas një bilanci të datës 7 tetor./trt/