Në pronat e Manastirit ortodoks të Deçanit janë shkruar grafite si “ISIS” “Kalifati po vjen”, “AKSH” e “UÇK”. Pas këtij veprimi janë arrestuar tre të rinj shqiptarë.
Këto grafite për të cilat ka raportuar RTV KIM, e që janë vlerësuar si kërcënim, janë vërejtur në objektet e pronave të manastireve, sot rreth mesditës.
Mirëpo, shtrohet pyetja se sa është e lehtë që qytetarët të kenë qasje në pronat e Manastirit të Deçanit, kur dihet se ky Manastir ende ruhet në mënyrë strikte nga KFOR-i italian.
Ata që e njohin mirë edhe pozitën që gjendet Manastiri i Deçanit, e dinë se për të shkuar deri te atje duhet të kalohen të paktën dy postblloqe të KFOR-it, derisa në portën kryesore qëndrojnë 24 orë ushtarët ndërkombëtarë.
Një qytetar deçanas me inicialet A.K. i ka thënë Indeksonline se duket gati e pamundur që dikush nga shqiptarët të kenë shkruar këto grafite.
“Nëse po thuhet se kjo është bërë nga të rinjtë, atëherë si është e mundur që të kenë ditur se si shkruhet Kalifati në gjuhën angleze. Po ashtu është pak e besueshme që ata të rinj të hynin në pronën e Manastirit, pasi që është nën vëzhgim 24 orësh”, thotë ky qytetar.
Sipas tij, kjo mundet me qenë edhe një përpjekje e Kishës Ortodokse serbe që të forcojë praninë e KFOR-it aty e me këtë edhe të zmbraps në një far formë qytetarët e pakënaqur deçanas me pronat që ua ka marrë Manastiri.
“Deçanasit vazhdojnë të jenë të frustruar me aneksimin e pronave të tyre nga Manastiri dhe me vendimin e gjykatës që këto prona të uzurpuara t'i njihen kishës. Prandaj them se loja me grafite mund të jetë produkt i kësaj propagande që të merret si arsyetim për kinse sigurinë e atyre që jetojnë aty”, ka thënë A.K.
Është konfirmuar në vazhdimësi se deçanasit kanë respekt të madh për Manastirin, sepse e konsiderojnë si të tyrin, pasi që shekuj më parë ky objekt fetar iu takonte atyre.
Historianët e kanë vërtetuar se Manastiri i Deçanit është ndërtuar mbi themelet e Kishës Katolike që iu ka takuar pikërisht shqiptarëve. /Indeksonline/