Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan uroi zëvendës kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviç me rastin e rizgjedhjes në postin e anëtarit boshnjak të Kryesisë së Bosnje-Hercegovinës.
Një burim nga Presidenca turke njoftoi se Erdoan i telefonoi Izetbegoviç dhe e uroi atë për suksesin e arritur në zgjedhje, njofton trt.
Edhe kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutollu, zhvilloi një bisedë telefonike me Izetbegoviç për ta uruar atë për suksesin e arritur në zgjedhjet e fundit.
Kryetari aktual i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës natën e fundit ka deklaruar fitoren e tij, në bazë të së cilës edhe në të ardhmen do ta ushtroj funksionin e anëtarit boshnjak të presidencës së BH.
Kandidati i SDA-së për anëtarin boshnjak të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç fitoi 194.455 vota dhe kryeson garën për anëtarin boshnjak të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës në bazë të votave të numëruara deri më tani nga 2.496 qendra votimi nga 3.262 gjithsej, ose 76,52 për qind.
Këto të dhëna paraprake janë publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjës dhe Hercegovinës.