Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Haki Gecaj, ka paralajmëruar se do të paraqesë kërkesën për vazhdimin edhe për dy muaj të paraburgimit ndaj dhjetë personave të dyshuar për terrorizëm, në mesin e të cilëve është edhe kryetari i Lëvizjes “Bashkohu”, Fuad Ramiqi.
Paraburgimi prej një muaji ndaj hoxhës Bedri Robaj, ndaj Idriz Bilibanit, Mazllam Mazllamit, Fuad Ramiqit, Alban Malsiut, Dardan Gjukës, Eroll Nesimit, Leonard Rulit, Sabahudin Selimit e Trim Ademit pritet të përfundojë më datën 16 tetor.
Para se të skadojë kjo datë, prokurori është i obliguar që ta paraqesë kërkesën e tij për vazhdimin ose jo të paraburgimit.
“Ju informoj se lidhur me këtë rast prokurori i çështjes nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të paraqesë kërkesën për vazhdim të paraburgimit ndaj personave të dyshuar, të cilët janë në paraburgim”, ka thënë për “Zërin”, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi.
Prokurori i rastit në këtë dosje është prokurori, Haki Gecaj, i cili kishte paraqitur edhe kërkesën për arrestimin e imamëve nga Mitrovica, Enis Rama e Ekrem Avdiu si dhe kryeimamit të Pejës, Enes Goga.
Që të tre personat janë liruar disa ditë pas caktimit të paraburgimit me arsyetimin se prania e tyre në liri nuk i dëmton hetimet në këtë rast.
Teksa tre imamët janë në liri, hoxhallarët e tjerë vazhdojnë të qëndrojnë prapa grilave.
Të gjithë janë arrestuar më 17 shtator dhe një ditë më vonë rasti ishte proceduar në Gjykatë. Gjykata Themelore fillimisht me vendimin e marrë e kishte vazhduar masën e ndalimit edhe për 48 orë, ndërsa pas saj kishte vendosur masën e paraburgimit ndaj të gjithë të arrestuarve. Të dyshuarit për vepra penale kundër rendit kushtetues, përmes avokatëve të tyre i kishin paraqitur ankesat kundër paraburgimit në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit ka vlerësuar se Gjykata Themelore nuk e ka vërtetuar dyshimin, mbi të cilin të pandehurit duhet të qëndrojnë në paraburgim, andaj edhe e ka kthyer lëndën në rivendosje.
Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe tri ditë nga skadimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh, Gjykata Themelore ende nuk ka rivendosur.
“Në bazë të praktikës gjyqësore, kjo duhet të vendoset për katër-pesë ditë dhe kjo zvarritje e tillë është e paarsyeshme dhe nëse deri në këtë kohë Prokuroria dhe Gjykata nuk kanë arritur ta vërtetojnë dyshimin e bazuar se të dyshuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, atëherë kjo i bie se së pari kanë bërë arrestimin e të mbrojturit tim dhe më vonë i bëjnë hetimet”, thotë Skender Musa, avokat mbrojtës i Fuad Ramiqit.
Ky i fundit dyshohet se ka kryer veprën penale “Të thirrjes për rezistencë” dhe atë përmes një interviste të dhënë në televizion, ku mes të tjerash kishte theksuar se partia që ai përfaqëson, nuk do të rrijë duarkryq karshi arrestimeve për terrorizëm.
Duke folur për kërkesën e prokurorit Gecaj, Musa është i bindur që nuk ka pasur arsye as të caktohet në fillim paraburgimi e hiç më pak, sipas tij, të vazhdohet tashmë.
Paraburgimi do të skadojë më 16 tetor. Për këtë datë, mbrojtësit e të pandehurve tashmë kanë marrë ftesat e Gjykatës Themelore, ku pritet të mbahet seancë.
Avokati i të dyshuarit, Leonard Ruli, Esat Gutaj, thotë për “Zërin” se në këtë seancë do të deklarohen të pandehurit dhe në të njëjtën kohë do të vendoset nëse do të vazhdohet apo jo masa e paraburgimit?
“Më datën 16.10.2014 fillon një seancë, sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, për vazhdimin ose ndërprerjen e paraburgimit. Mirëpo nga provat e deritanishme, qoftë nga Policia, qoftë nga hetuesit apo Prokuroria, absolutisht nuk ka bazë as për caktim e as për vazhdimin e paraburgimit, ngase në aktvendimin për fillimin e hetimeve asnjë provë më të vogël nuk e kanë ofruar. Prandaj, unë mendoj dhe jam i bindur se kemi të bëjmë me vendime dhe urdhëresa politike dhe jo juridike”, thotë avokati Gutaj./Zëri/