Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca dëgjimore për 10 të dyshuarit për cenim të rendit kushtetues të Kosovës.
Imamit të xhamisë në lagjen Fidanishte në Mitrovicë, Eroll Misini, i është hequr akuza për veprën penale “rekrutim për terrorizëm”.
Këtë e ka konfirmuar avokati i tij Kadri Osaj, pas përfundimit të seancës dëgjimore.
“Prokuroria u bind dhe ka hequr dorë nga dyshimi që klienti im e ka kryer veprën penale rekrutim për terrorizëm”.
“Klienti imë është imam, punon në kuadër të Bashkësisë Islame, predikon me moral dhe gjatë predikimit referenca e prokurorisë në predikimet e tij nuk ka gjetur asgjë inkriminuese dhe nuk vërteton dyshimin e bazuar”, ka thënë avokati Osaj.
Gjatë seancës, prokurori ka propozuar që të pandehurve Alban Malësiu, Dardan Gjuka dhe Idriz Bilibani t’iu ndërpritet masa e paraburgimi, ndërsa për të pandehurit tjerë ai ka kërkuar që të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Vendimi ndaj 10 të dyshuarave pritet të merret gjatë ditës së sotme./lajmi/