Qyteti sirian Kobani, ku prej disa javësh po zhvillohen përleshje të ashpra mes militantëve të ISIL dhe grupeve kurde, praktikisht është shndërruar në gërmadha, raporton Anadolu Agency (AA).
Dukshëm është dëmtuar pjesa lindore e qytetit, ku numri i madh i objekteve publike dhe shtëpive private janë shkatërruar tërësisht. Dëmi i madh është shkaktuar në ndërtesa dhe objekte që gjenden në afërsi të kufirit me Turqinë, ku herë pas here mund të dëgjohen shpërthime të fuqishme që vijnë nga Kobani.
Përleshjet mes këtyre grupeve kanë nisur një muaj më parë, ndërkohë që përleshjet po zhvillohen edhe brenda qendrës së qytetit. Militantët e ISIL kanë uzurpuar një zonë në lindje të qytetit ku kryejnë sulme ndaj objektivave të grupeve kurde. Në anën tjetër, forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej javësh kryejnë sulme ajrore ndaj militantëve të ISIL.