Shumë njerëz të vullnetit të mirë sot kanë qëndruar në Llaushë të Podujevës për t’i ndihmuar pesë jetimëve që, përveç se janë pa prindër, janë edhe pa strehim.
Lotët e jetimëve nga Llausha e Podujevës prekën shumë njerëz. Me t’u bërë publike gjendja e tyre e mjerë, oborri i tyre u mbush me njerëz.
Disa prej tyre të martën kishin filluar renovimin e shtëpisë së pesë fëmijëve të familjes Halili.
Për të nisur këtë punë, xhemati i xhamisë së Besianës kishte dhuruar 1,500 euro. Por, kjo shumë ende nuk është shfrytëzuar.
Asnjë cent s’është shfrytëzuar dhe shpenzuar, pasi nw ndërkohë po arrijnë dhe pritet të arrijnë akoma materiale, mjeshtër dhe mobilie falas për këta pesë jetimë. Prandaj ato do të harxhohen me kalimin e kohës, ose do t’ua japim nga pak, ose çfarë kanë nevojë më tutje, ka thënë imami i xhamisë së Besianës.
Përveç shtëpisë, fëmijët që humbën dy prindërit brenda një periudhe disamujore, po ndihmohen edhe me ushqime e para. Shoqata e tregtarëve “Bashkimi” kishte mbledhur 2,500 euro.
Ata nuk do ta lënë me kaq aksionin e tyre.
Ndërsa, Egzona 13 vjeçare, më e madhja e kësaj familje, e ka vlerësuar ndihmën e dhënësve.
“Faleminderit shumë prej tyre, na kanë ndihmuar shumë, disa me para, disa me gjëra ushqimore. Faleminderit prej tyre, Zoti i shpërbleftë”, ka thënë ajo.