Imami i xhamisë Muhaxhir në Suboticë: Një ditë pas incientit është dëgjuar ezani nga xhamia

Selmo Drekoviç, imami i xhamisë Muhaxhir në Suboticë të Vojvodinës, të cilën huliganët u përpoqën ta djegin pas ndeshjes futbollistike ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në stadiumin e Partizanit në Beograd, thotë se pas sulmit jeta e besimtarëve në këtë qytet është kthyer në normalitet, ashtu siç ishte edhe para incidentit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai theksoi se për të dhe për besimtaret e tjerë të besimit islam në Suboticë është e rëndësishme që kryetari i komunës së Suboticës Jene Maglai dhe zyrtarët e policisë nga fjalët kaluan në vepra.

- Policia në krye të detyrës -

Kryetari i komunës së Suboticës të dielën, një ditë pas tentativës për zjarrvëni, vizitoi xhaminë dhe imamin Drekoviç, duke dënuar ngjarjen e së shtunës mbrëma, ku deklaroi se pushteti lokal nuk do të tolerojë që askush në Suboticë të ndihet i pasigurt, pavarësisht fesë dhe kombësisë.

Imami Drekoviç deklaroi për AA se makina e policisë gjendet pranë xhamisë 24 orë në ditë, dhe se kryetari i Komunës ka dërguar një ekip për të përcaktuar dëme materiale në objekt.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka konfirmuar se pas incidentit qëndrojnë dy të mitur të nacionalitetit serb dhe hungarez.

Megjithatë, sulmi në xhami, e cila është ndërtuar në vitin 2008 nuk e ka penguar zhvillim e jetës normale në Suboticë. Këtë ka konfirmuar edhe imami Drekoviç i cili tha se jeta e besimtarëve është kthyer në normale. "Pra, këtu nuk ndihet tensioni. Çdo gjë është kthyer në normale dhe shoh se kalimtarëve që kalojnë pranë xhamisë u vjen keq. Kjo do të thotë se sulmuesit kanë qenë vetëm disa individë që nuk kanë peshë në shoqërinë dhe shoqëria nuk e ndanë mendimin si ata", ka thënë Drekoviç.

- Ezani nga xhamia -

Imami i Suboticës tregon se minarja e xhamisë është treguesi më e mirë i lirisë fetare. Ai kujtoi se si në Beograd ekziston vetëm një xhami me minare, ndërsa në qytete tjera evropiane ndërtimi i minares është i ndaluar.

"Këtu ka aq shumë fqinj të cilët asnjëherë nuk janë ankuar. Kjo është një mënyrë për të jetuar në bashkëjetesë dhe që të gjitha komunitetet të kenë liri fetare", tha Drekoviç. Ai ka theksuar se ka marrë mbështetje nga përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare të cilët solidarizohen me myslimanët e Vojvodinës dhe është shumë e rëndësishme të dihet se edhe ata e dënojnë këtë sulm.

Drekoviç theksoi se pas incidentit të shtunës mbrëma, nuk kanë pasur reagime ndaj thirrjes së ezanit dhe se numri i besimtarëve që vijnë të falen nuk ka ndryshuar. Ai po ashtu shtoi se para xhamisë ende qëndrojnë një patrullë e policisë duke thënë se nuk beson që ka nevojë për këtë gjë.

- Novi Sad pa atmosferë të tensionuar -

Në Suboticë jetojnë rreth pesë mijë mysliman, dhe ata, sipas fjalëve të imamit Drekoviç, nuk ndihen të kërcënuar për shkak të sulmit në xhami. "Nuk ndihemi të kërcënuar. As në mesin tonë kjo ngjarje nuk ka zënë shumë hapësirë. Merremi me aktivitete të përditshme dhe çdo gjë është në rregull", thotë Drekoviç.

Një atmosferë e ngjashme mbizotëron në mesin e besimtarëve myslimanë në Novi Sad, ka thënë për AA sekretari i Myftiut të Novi Sadit Mirza Murati. Ai ka theksuar se në mesin e besimtarëve nuk mbizotëron atmosferë e tensionuar përveç se objektin e Bashkësisë islame në këtë qytet e siguron patrulla e policisë.

"Ne ndjehemi të sigurt. Policia na ka dalë në ndihmë duke u kujdesur për sigurinë e objektit. Ata kanë vendosur për këtë gjë edhe para se ne e kemi dërguar kërkesën", ka thënë Murati.

Ai tha se fqinjët e tyre të përkatësive të tjera fetare kanë ofruar mbështetjen e tyre pas incidentit. "Çdo person normal ofron mbështetje. Këto janë vetëm veprat e individëve që nuk duhej të ndodheshit", tha Murati për AA.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat