Në Kosovë dhe Bosnje kundërshtohet vendimi i tribunalit të Hagës për lirimin e Sheshelit

Për shkaqe shëndetësore, Tribunali i Hagës ka vendosur ta liroj, përkohësisht, liderin e Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshelin, gjendja shëndetësore e të cilit është përkeqësuar dukshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Shesheli është i akuzuar për krim kundër njerëzimit dhe thyerjen e ligjeve dhe zakoneve të luftës në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, por edhe pas 11 viteve, sa gjendet në paraburgim në Hagë, procesi i tij gjyqësorë nuk ka përfunduar.

Haki Kasumi, koordinator i Këshillit të Shoqatës për Personat e Zhdukur nga Kosova, ka vlerësuar se lirimi i përkohshëm i Sheshelit, po e përsërit rastin e Sllobodan Milosheviçit, i cili vdiq pa ju shqiptuar vendimi në Gjykatën e Hagës.

Sipas tij, kjo është e papranueshme dhe nuk ka lidhje me drejtësinë. “Ai që e ka bërë këtë, sipas nesh, është duke e bërë të njëjtin krim sikurse edhe kriminelët, në mesin e të cilëve është si peshk i madh, krimineli i madh, Shesheli. Fatkeqësisht, po duket se edhe ai do të mbetet pa aktgjykim, që është e papranueshme dhe që, për viktimat, është qëndrim dhe veprim i gabueshëm i atyre që e lirojnë këtë kriminel” thotë për Anadolu Agency, Haki Kasumi.

Ai thekson se gjykatësit ndërkombëtarë nuk duhet të kenë fare mëshirë ndaj këtij lloji të kriminelëve, si dhe duhet t’i ndjekin vazhdimisht, në mënyrë që këto krime të mos përsëritën më kurrë.

Nga ana tjetër, Bojan Teofiloviç nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Graçanicë ka theksuar se Shesheli ka qenë i akuzuar në Hagë, por se nuk është i dënuar, ndërsa në drejtësi, ekziston supozimi se ose je i pafajshëm ose je i dënuar.

“Mendoj se ky akt është hedhja e ‘patateve të nxehta’ dikujt tjetër, sepse, sipas të gjitha gjasave ai është në një gjendje shëndetësore që nuk i ka mbetur edhe shumë jetë... Nga ana tjetër, ata kanë probleme për shkak të procesit të tij. Edhe pas 11 viteve të kaluara në Tribunal, nuk ka aktgjykim dhe kjo është mënyra më e lehtë për Tribunalin që ta zgjedh këtë situatë në të cilën janë futur me gabimin e tyre dhe kjo është zgjedhur si mënyrë për ta zgjedhur këtë situatë” ka thënë për AA, Teofiloviç.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtat Humanitare në Kosovë , Bekim Blakaj, ka thënë për AA se Tribunali i Hagës është duke na befasuar, nga dita në ditë, sepse proceset në këtë gjykatë po zgjasin shumë gjatë dhe kjo është e padurueshme për viktimat. “Ky është rasti tani edhe me Vojsilav Sheshelin. Procesi i tij po zgjatë që 11 vjet dhe viktimat assesi nuk po mund të shohin drejtësinë. Kjo është problem i madh sepse po shihet se, gjendja shëndetësore e Sheshelit është përkeqësuar dhe unë po frikohem se do të vdes, pa u marr vendimi. Ky do të jetë rasti i dytë. Ka edhe disa raste të fundit të cilat janë në proces e sipër në Tribunalin e Hagës dhe nëse vazhdojnë në këtë mënyrë, viktimat nuk do të jenë të kënaqura me punën e Tribunalit të Hagës” thotë Blakaj.

Sipas fjalëve të tij, Fondi për të Drejtat Humanitare ka reaguar edhe më herët se, proceset po zgjasin shumë gjatë dhe jo vetëm viktimat, por edhe shoqëritë në këtë regjion po mbeten pa e mësuar të vërtetën dhe vendimin e gjykatës së Tribunalit të Hagës.

Në Sarajevë pati reagime kundërshtuese pas vendimit të tribunalit të Hagës për lirimin e Sheshelit

"Hedhja e kripës në plagë të hapur nuk është e pazakontë për ne", deklaroi kryetarja e shoqatës "Nënat e Srebrenicës" Hatixha Mehmedoviç, në lidhje me lirimin e përkohshëm të akuzuarit të Hagës dhe liderit të Partisë Radikale Serbe (SRS) Vojislav Sheshel, raporton Anadolu Agency (AA).

Mehmedoviç theksoi se familjet e viktimave nuk janë të befasuara me këtë vendim, kjo është trishtuese, pasi që në këtë mënyrë brezave të rinj i jep "krahë" që të bëjnë krime edhe më të përgjakshme dhe të rrezikshme.

"Të kaluarën nuk mund ta kthejmë, por nga ajo asgjë nuk mësuam, ashtu që ajo të mos përsëritet askund dhe askujt. Nuk është çudi që në botë ndodhin krime, sepse gjykatat nuk bëjnë atë që duhet dhe çdo gjë duket e korruptuar disi. Ne, familjet, që përjetuam të gjitha torturat në BeH, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, ne ndjehemi me të vërtetë keq. Nuk shpresuam që fëmijët tanë të kthehen, sepse e dimë që është e pamundur, por ne prisnim drejtësi. Megjithatë, në vend të drejtësisë ne ballafaqohemi me humbje të vullnetit për ta vazhduar luftën për të vërtetën dhe drejtësinë. Nëse nuk ka drejtësi nuk ka të ardhme. Të gjithë ata që kanë kryer gjenocid dhe agresion, të cilat po lirohen, disi po shpërblehen, ndërsa ne, familjet, dënohemi," tha Mehmedoviç.

Kryetarja e Shoqatës "Nënat e Srebrenicës dhe Enklavat e Zhepës" Munira Subashiç tha se "Shesheli kishte bërë cirk nga Tribunali i Hagës" duke fyer viktimat dhe prokurorët gjatë gjykimit dhe se "ndoshta është liruar që të mos vdiste në Hagë, por në shtëpi."

I ashpër ishte edhe reagimi i Kryetarit të Shoqatës së kampeve të përqendrimit në Bosnjë, Jasmin Meshkoviç. "Ne e dënojmë ashpër dhe shprehin pakënaqësinë tonë me vendimin për lirimin e përkohshëm të kriminelit të luftës, personin, procesi gjyqësor i të cilit zhvillohet që nga viti 2003. Ne nuk mund ta besojmë. Vlerësojmë rëndësinë e Tribunalit të Hagës. Është e vërtetë se, pa këto institucione, e vërteta do të shihej ndryshe. Tribunali ka kontribuar për zbardhjen e krimeve, por vendimi për lirimin e Shesheljit paraqet poshtërim të viktimave. Njerëzit janë të hutuar, anëtarët tanë na telefonojnë dhe pyesin nëse kjo është e vërtetë," tha Meshkoviç.

Vojislav Sheshel ishte gjykuar nga Tribuanali i Hagës me akuza për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo rregullave të luftës në vitet 1991-1993 në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Vojvodinë. Argumentet mbyllëse në gjyq janë përcaktuar në vitin 2012, por vendimi deri në ditët tona nuk është sjellë akoma. Dhoma Gjyqësore Penale e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dje vendosi që Vojislav Sheshel të lirohet përkohësisht për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat