Turqia ndërton 1.000 banesa në Gazë

Nëpërmjet TIKA-s, Turqia do të ndërtojë në Gazë 1.000 banesa për palestinezët, që kanë mbetur të pastrehë nga sulmet 51-ditore të Izrealit.

Konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Jerusalem, ambasadori Mustafa Sarniç, i cili realizoi në Gazë një vizitë bashkë me Presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serdar Çam, nën shoqërinë e autoriteteve të TIKA-s dhe Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë mori pjesë në ceremoninë e organizuar të hënën për hedhjen e themeleve për 1.000 banesa.

Gjatë fjalimit të rastit, Presidenti i TIKA-s, Serdar Çam, ka deklaruar se 1.000 banesat e reja, që do të ndërtohen për banorët e Gazës, janë një dhuratë e thjeshtë për njerëzit e vuajtur të këtij rajoni, për t’u krijuar atyre kushte më të volitshme jetese.

Ndërsa konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Jerusalem, ambasadori Mustafa Sarniç, është shprehur se janë dëshmitarë të një rrënimi të madh në Gazë.

“Së pari duhet garantuar themelimi i një shteti të lirë dhe të pavarur palestinez. Ne besojmë se paqja dhe qetësia në rajon do të vendoset vetëm pasi të jenë garantuar këto kushte. Ne, si autoritete të Republikës së Turqisë, do të kontribuojmë me sa mundemi për rindërtimin e Gazës”, ka theksuar Sarniç.

Të dielën, kreu i TIKA-s dhe konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Jerusalem realizuan gjithashtu përurimin e puseve të ujit, që do të plotësojnë nevojën për ujë të rreth 800 mijë palestinezëve në Lagjen “Shujaiyya” të Rripit të Gazës./trt/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat