Ditë më parë është raportuar se në Kazermat e FSK-së është ndaluar praktikimi i riteve fetare me një urdhër të prerë. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek pjesëtarët e FSK-së, të cilët ankohen se po u bëhet padrejtësi. Ministri i FSK-së, Agim Çeku, kishte theksuar se është vendim i përkohshëm. Kurse, Neni 8 i Kushtetutës e definon Kosovën si shtet laik, neutral në çështjet e religjioneve.
Avni Islam ekspert i çështjeve të sigurisë dhe luftës ndaj ekstremizmit, për gazetën “Bota sot” e vlerëson si të pa drejtë këtë masë të ndërmarrë ndaj pjesëtarëve të besimit islam, pasi sipas tij me këtë masë po u shkelet e drejta në besim.
“Në bazë të konventave ndërkombëtare është e garantuar, e drejta në besim. Në praktikat e vendeve të NATO-s u garantohet një e drejtë e tillë. Madje në këto ushtri kanë klerikë fetare të feve të ndryshme, si dhe ndahen hapësira të veçanta për kryerjen e riteve fetare”, thotë Islami.
Sipas tij kjo masë e ndalimit të praktikimit të riteve fetare, nuk ndikon aspak në përhapjen e ekstremizmit fetar. Islami më tej ka vlerësuar se në institucione duhet të krijohen kushte për praktikimin e riteve fetare.
“Kjo që ka ndodhë në kazermat e FSK-së është e panevojshme dhe kjo nuk ndikon aspak në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit apo ideve radikale. Madje në vendet ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut në institucionet publike ka hapësira të veçanta për kryerjen e riteve fetare. Dhe këto nuk ndikojnë aspak në radikalizmin e atyre individëve. Prandaj edhe në objektet e legalizuara dhe aty ku dihet se çka ligjërohet është dashtë vërtetë që të krijohen mundësitë e kryerjes së lutjeve”, pohon ai.
Islami thekson se, një masë e tillë është kontraproduktive e madje jo që është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut” dhe të drejtës në besim, po kjo do të ndikon negativisht të praktikuesit e riteve fetare.
“Mendoj se edhe nëse ka pasur indikacione se në mesin e praktikuesve dhe predikuesve fetar ka pas dyshime, atëherë është dashur të merren masa preventive duke i larguar të dyshuarit dhe hapi i dytë duhet t’ u bëhet verifikimi së pari ligjërueseve të cilët do të mbanin ligjërata dhe do tua falte Namazin, kësisoj udhëheqësit e FSK–së janë treguar të pa pjekur duke mos mundur të përballen me një gjendje të tillë”, deklaron Islami.
Avni Islami pohon se, nëse kështu veprohet në të ardhmen në FSK, por jo vetëm këtu që tu merret e drejta në praktikimin e lutjeve fetare, atëherë ekziston rreziku që mu këtu të bëhet qendër për prodhimin e radikalizmit për shkak të shkeljeve elementare të drejtave të njeriut dhe të drejtës në Besim.