Derisa ditëve të fundit vazhdon presioni ndaj PDK-së por edhe deklaratat e udhëheqësve të LDK-së për nevojën e ridizajnmit të Bllokut, në të njejtën kohë as “krahu i luftës” në Bllok duket që s’është duke qëndruar duarkryq.
Përkundrazi, siç Gazeta Blic mëson nga burimet e saj, disa prej bashkëpunëtorëve të Haradinajt dhe Limajt, të cilët kanë vendosur që të “rrijnë bashkë” ose me Bllokun por eventualisht edhe me PDK-në nëse Blloku prishet, tashmë kanë rivënë kontaktet me zyrtarë nga PDK-ja.
“Kjo po ngjet për çdo eventualitet.. nëse LDK e ka përnjëmend të shkojë me PDK-në duhet ta dijnë që me PDK-në ata janë djegur më shumë se të gjithë ne”, i ka thënë Gazetës Blic një zyrtar i Aleancës.
“PDK dhe Thaçi janë në gjendje të japin çdo gjë- përfshirë edhe postin e Kryeministrit nëse shkojmë me ta”, ka thënë ky zyrtar i cili nuk ka dashur t’i tregojë emrat e zyrtarëve të Aleancës që kanë rivënë kontaktet me PDK-në.
Por ajo që është e sigurtë është se bashkimi i “krahut të luftës” do të bënte vota të mjaftueshme që bashkë me pakicat të kishin edhe shumicën në Kuvend edhe në Qeveri.
I njejti zyrtar ka thënë pokështu Gazetës Blic që sinjali i qartë ndërkombëtar është që zgjedhje nuk do mbahen në asnjë mënyrë. /Gazeta Blic