TIKA restauron Xhaminë e Jashar Pashës, xhevahirin e Qendrës Historike të Prishtinës

Një nga xhevahiret e trashëgimisë kulturore të Prishtinës, Xhamia e Jashar Pashës, e ndërtuar në shekullin XV dhe e rindërtuar në shekullin XIX nga Jashar Mehmet Pasha, një qytetar i pasur i Prishtinës dhe guvernatori i Shkupit në vitin 1842, sipas të cilit edhe mori emrin. Ajo gjendet saktësisht në qendër të Qendrës Historike të Prishtinës, afër Xhamisë së Çarshisë (e ndërtuar në shekullin e 15-të nga Sulltan Bajaziti për të përkujtuar fitoren e osmanëve në vitit 1389), Shatërvani dhe Muzeu i Kosovës, në një anë; përball ka Parkun Arkeologjik, kurse mbi të gjenden Xhamia e Mbretit apo Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut (e ndërtuar në vitet 1460-1461 nga Sulltan Mehmeti II – Pushtuesi, 8 vjet pas rënies së Konstantinopolit) dhe Sahat Kulla.

Xhamia e Jashar Pashës është pjesë e kompleksit i cili paraqet historinë, kulturën dhe traditën e gjithë atyre që jetojnë dhe kanë jetuar ndër shekuj, në Prishtinë. Mirëpo, kjo pasuri e jashtëzakonshme e peisazhit kulturor dhe historik të Prishtinës, që nga paslufta e Dytë Botërore, ka pësuar ndryshime të mëdha nga pamja e saj burimore, më së shumti për shkak të restaurimeve joprofesionale të cilat janë bërë gjatë kohës së komunizmit dhe e kanë dëmtuar tej mase. Dëmtimet ishin aq të mëdha sa që, në fillim të vitit 2012, Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës vendosi ta mbyllte xhaminë për besimtarët e vet, për shkak të rrezikut nga rrënimi, si pasojë e çarjeve dhe dëmeve të tjera që i kishte pësuar xhamia.

Duke qenë se, Qeveria e Kosovës, gjerësisht, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit i kushton rëndësi të veçantë trashëgimisë kulturore, ajo në pajtim me Bashkësinë Islame të Kosovës, së bashku nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit me TIKA-në, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në Kosovë, për ta restauruar dhe për t’ia kthyer shkëlqimin e dikurshëm.

Koordinatori i TIKA-së në Kosovë, Eyup Yavuz Umutlu, duke folur për Anadolu Agency mbi punimet restauruese që janë duke u bërë në Xhaminë e Jashar Pashës, shpjegon se TIKA, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e Ballkanit, ku sipas raportit të vitit 2013, në 120 vende të botës e shtrirë veprimtarinë e vet, si një nga sektorët më të rëndësishëm e ka atë të restaurimit të monumenteve historike dhe trashëgimisë kulturore.

“Restaurimet janë një nga sektorët në të cilët ne ndihmojmë këtu në Kosovë. Bazuar në këtë, ne kemi filluar restaurimin e xhamisë së Jashar Pashës, në gusht të vitit 2014. TIKA  është përgjegjëse për komplet projektin, duke filluar nga hartimi i projektit të restaurimit, realizimi i punëve, mbikëqyrja e tyre dhe mbi të gjitha, komplet shpenzimet e punimeve i bartë TIKA” tha Umutlu i cili vlerësoi se punimet po shkojnë mirë përkundër vështirësive të mëdha.

“Natyrisht, punët e restaurimit, vetvetiu janë punë shumë të vështira, në veçanti nëse këto restaurime bëhen jashtë vendit (Turqisë). Restaurimin, aktualisht është duke e bërë një kompani turke. Është një nga firmat më me emër dhe e respektuar në Turqi, në lëmin e restaurimit. Duke i falënderuar planifikimit të mirë të punëve nga kjo firmë, si dhe fillimit të mbarë, restaurimi po zhvillohet me ritëm të paraparë dhe për mrekulli”, shpjegon koordinatori i TIKA-së dhe thotë se, pas sigurimit të gjitha kushteve të nevojshme administrative që TIKA të realizojë projektin dhe fillimit të punimeve në shtator të këtij viti, pritet që procesi restaurimit të zgjasë 2 vjet dhe Xhamia e Jashar Pashës të rihapet në gusht 2016.

Eksperti i cili po i udhëheq punimet e restaurimit, arkitekti Fahrettin Emrah Köşgeroğlu nga kompania Sema Proje e Ankarasë, rrëfen për telashet e mëdha me të cilat janë ballafaquar në fillim të punimeve, si pasojë e një restaurimi i cili është bërë në kohën e ish-Jugosllavisë, sidomos në minaren e xhamisë, në pjesën e epërme.

“Pjesa e epërme e projektit ishte në gjendje shumë të keqe, përkatësisht, kulmi i minares është dashur të hiqet plotësisht, siç e keni parë dhe ajo është dashur të rehabilitohet nga fillimi” tha Fahrettin Köşgeroğlu dhe shtoi se gjatë punimeve në pjesën e kupolës, janë përdorur materiale të palejueshme.

“Gjatë restaurimi të kupolës janë përdorur materiale të palejuara, siç është çimentoja, e cila nuk lejohet të përdoret gjatë restaurimeve dhe gjatë kohës, për shkak të një trajtimi të tillë, ka ndikuar në keqësimin e gjendjes së objektit. Edhe këtu kemi ndërhyrë, duke e hequr atë shtresë e cila do të përtërihet nga fillimi. Këto janë gjëra të papritura dhe paplanifikuara me të cilat jemi ballafaquar” vazhdon rrëfimin e tij për Anadolu Agency, përgjegjësi kryesor për restaurimin e xhamisë së Jashar Pashës dhe thotë se përkundër vështirësive ata janë duke u munduar që, maksimalisht ta ruajnë origjinalitetin dhe pamjen burimore të objektit.

“Një problem tjetër është se, punimet e brendshme të xhamisë janë shumë të veçanta, vizatimet dhe muret e pikturuara janë shumë mirë të ruajtura dhe janë tejet të pasura, në aspektin artistik. Një pasuri të këtillë të vizatimeve në Ballkan mund ta shihni shumë rrallë. Prandaj, ruajtja e këtyre punimeve kërkon një qasje të veçantë dhe shumë të kujdesshme” tha eksperti i ndërtimeve të larta dhe restaurimeve, arkitekti Fahrettin Emrah Köşgeroğlu, duke theksuar se po punohet me përkushtim dhe kujdes maksimal që, kësaj pasurie kulturore dhe historike t’i mos prishet origjinaliteti dhe pamja burimore.

Një tjetër problem me të cilin punëkryesi ka hasur gjatë restaurimit të Xhamisë së Jashar Pashës, është mungesa e materialeve dhe mjeshtërve të veçantë për kryerjen e punëve konservuese dhe restauruese, thotë për AA, Recep Peker nga kompania e cila i kryen punët, Pekerler Insaat nga Stambolli.

“Materialet i kemi sjell nga Turqia, duke filluar nga plumbi e deri te materialet për restaurim, të gjitha gjërat i sjellim nga Turqia. Për punime në këtë xhami, nga Turqia kemi ftuar ekspertë të veçantë, muratorët, derdhësit e plumbit, gurkalitësit, ata i sjellim nga Turqia” tha njeriu i cili këtë zeje e ka trashëgimi nga gjyshi dhe familjarisht e punojnë prej 65 vitesh, Recep Peker i cili me shumë përkushtim po punon për të bërë restaurim sa më të denjë për t’i mënjanuar defektet dhe për t’ia kthyer shkëlqimin e vjetër këtij monumenti me vlerë të madhe historike.

Kosova ka trashëgimi kulturore të pasur dhe kjo është një vlerë e popullit që ka jetuar në këtë vend. Për këtë, populli ndjehet krenarë dhe për të, restaurimi dhe përtëritja e monumenteve historike dhe kulturore është shumë e rëndësishme. Në këtë aspekt, Turqia ka ndihmuar shumë, duke investuar në restaurimin e shumë monumenteve të trashëgimisë kosovare.

“Ne merremi me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Në këtë aspekt, ne merremi edhe me restaurimin e xhamive. Diku bëjmë restaurimin e sahat-kullave, diku hamameve, çesmeve të vjetra. Qëllimi ynë është që me restaurimin e këtyre objekteve, të ruajmë trashëgimin kulturore. Prandaj, në kuadër të kësaj, ne edhe më  herët në Kosovë kemi bërë restaurimin e disa xhamive” tha Eyup Yavuz Umutlu dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve historike që kanë vlerë të madhe për trashëgimin botërore, në përgjithësi.

Duke ju kthyer edhe një herë elementeve të veçanta të Xhamisë së Jashar Pashës, të shtresuara gjatë shekujve, ai e konsideron këtë xhami si një nga veprat më të veçanta dhe më të rëndësishme të peizazhit kulturor dhe historik të Prishtinës, me vlera arkitektonike, artistike dhe historike.

“Vizatimet e brendshme dhe pikturuat në muret e xhamisë së Jashar Pashës, janë të veçanta. Kjo xhami është e rëndësishme sepse gjendet në qendër të qytetit të Prishtinës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës dhe ishte një xhami e mbyllur për kryerjen e riteve fetare. Po ashtu, është një xhami, restaurimi i së cilës është shumë i vështirë për shkak të rrezikut nga shembja. Për këtë arsye, gjendet në listën e prioriteteve tona dhe i kemi dhënë përparësi duke i filluar më shpejt punimet” përfundoi koordinatori i TIKA-së për Kosovë, organizatë qeveritare kjo e Turqisë e cila në pesë vitet e fundit ka investuar shumë në restaurimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë./AA/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat