Gati gjysma e qytetarëve të gatshëm për protesta politike

Pakënaqësia e qytetarëve të Kosovës  lidhur me punën e institucioneve kryesore është pasqyruar edhe në pyetjet që kanë të bëjnë me kënaqshmërinë e tyre me drejtimin politik në të cilin po shkon Kosova.

Kështu thuhet në hulumtimin “Pulsi publik“ të UNDP dhe USAID, i cili ofron një pasqyrë të saktë të treguesve kyç dhe rezultateve të anketës së pulsit publik.

Ky hulumtim përfshin periudhën nga prilli deri nëntor të vitit 2014 dhe ndjek traditën e raporteve të mëparshme duke shqyrtuar situatën e ndryshueshme në Kosovë në fushën politike, ekonomike, të sigurisë dhe zhvillimit.

Hulumtimi nxjerr se vetëm 5% të kosovarëve duket të jenë të kënaqur ose shumë të kënaqur me drejtimin e tanishëm politik të Kosovës (në krahasim me 21% në prill 2014).

Shumica e kosovarëve duket se janë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur me drejtimin e tanishëm politik të Kosovës (72%, krahasuar me 42.5% në prill të vitit 2014).

Rreth 39% të kosovarëve janë përgjigjur pozitivisht kur janë pyetur nëse janë të gatshëm të protestojnë për arsye politike. Përqindje më e lartë e serbëve (49.5%), në krahasim me respondentët shqiptarë (39.1%) kanë pohuar se do të ishin të gatshëm t’ju bashkohen protestave politike. Vetëm 18.5% të pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike kanë deklaruar se do të protestonin kundër situatës aktuale politike.

E Lëvizja Vetëvendosje! tashmë ka paralajmëruar se nëse nuk thirret vazhdimi i seancës konstituive nga kryesuesja e kësaj seance, Flora Brovina, do ta përdorë edhe alternativën për protesta dhe demonstrata të qytetarëve.

Protestën si forëmë për të shprehur pakënaqësinë për situatën e krijuar në vend e kanë parë edhe shoqëria civile, por ka bërë të ditur se nuk do t’iu dalë në përkrahje atyre që thirren nga ndonjë parti politike.

Ditë më parë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy ann Jacobson, në një debat publik kishte thënë se nuk duhet të kërkohet zgjidhja e krizës politike në vend përmes protestave.

E lidhur me këtë deklaratë analisti Shpend Kursani kishte thënë se është e padrejtë të delegjitimohen protestat, sidomos kur një protestë do të organizohej jo nga partitë politike që veprojnë për ta kapur pushtetin, por nga qytetarë të pakënaqur me këta politikanë, siç i ka quajtur ai, të korruptuar./kosovalive/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat