Ja çfarë thonë qytetarët për koalicionin PDK-LDK

Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket arritjes së koalicionit të mbrëmshëm në mes të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Disa qytetarë të anketuar nga KosovaPress-i thonë se ky koalicion iu ka dashtë vendit tash e shumë kohë, por të tjerët mendojnë se ky koalicion është i dëmshëm për shtetin.

Shpëtim Statovci mendon se ky koalicion mund ta qoj vendin përpara.

“Qaj koalicion iu ka deshtë Kosovës. Me atë koalicion mundet me shku përpara se këto tjerat janë ma të vogla, kanë deputet ma shumë, munden me arrit më shumë, qaj është i mundshëm, e kemi prit”, ka thënë ai.

Mirëpo, Bekim Gashi mendon krejt ndryshe. Sipas tij, ky koalicion është tradhti nga Isa Mustafa.

“Unë e vlerësoj shumë të dëmshëm dhe kjo është një tradhti prej anës së LDK-së, prej Isa Mustafës - kaq mund të them. Nuk mund të jetë ky koalicion i qëndrueshëm”, ka theksuar ai.

Kurse, Selvije Zeneli, një qytetare tjetër thotë se e rëndësishme është që vendi të dalë nga kriza.

“Vallahi ishalla ju shkon mbarë, edhe na kem qef. Nashta edhe formohen se u bë boll që 6 muaj, ndoshta është edhe fundi”, ka deklaruar ajo.

Por, ka edhe qytetarë që janë shprehur skeptik me formimin e koalicionit PDK-LDK.

Adhurim Maka thotë se nuk ka vlerësim të qartë rreth këtij koalicioni që tashmë pritet t’i formoj edhe institucionet.

“Nuk e di, nuk kam koment, nuk e di, 5 muaj me prit, 5 muaj pa ditë çka me bo në fund ndodhi ajo që është dashtë me ndodh në fillim ose nuk e di”, ka thënë ai.

Ndërsa, Tefik Avdurrahmani thotë se ky koalicion është dashtë me ndodh tash e shumë kohë më parë.

“E vlerësoj shumë të mundshëm sepse ashtu është dashtë me qenë para kohe dhe tash me vonesë, këtë që e kanë formu nuk më ka ardh mirë. Para zgjedhjeve është dashtë bashkimi me ndodh jo pas zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Këto mendime të qytetarëve kanë ardhur pas arritjes së koalicionit të mbrëmshëm në mes të PDK-së dhe LDK-së për nxjerrjen e vendit nga kriza politike pas zgjedhjeve të 8 qershorit, ku shumicën e votave e kishte marrë PDK-ja por që nuk kishte vota të mjaftueshme në kuvend për t’i formuar institucionet e shtetit. /KP/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat