Selia e Degës së parë të LDK-së në Prishtinë, në lagjen Kodra e Trimave, ka qenë cak i një sulmi nga persona tash për tash të panjohur.
Zyra e kësaj dege, e cila ndodhet në rrugën “Vëllezërit Fazliu” është sulmuar në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë hetimin e këtij rasti. Përveç thyerjes së xhamave nuk ka pasur dëme tjera materiale, transmeton RTK.
Ky akt vandal vjen një ditë pasi kjo degë nëpërmjet një njoftimi është shprehur kundër marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK. Megjithatë, kryetari i kësaj dege, Ismet Beqiri, ka reaguar menjëherë dje kundër njoftimeve se Dega I e partisë së tij ka reaguar kundër koalicionit PDK-LDK.
Ai ka thënë se kjo degë nuk është takuar fare dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të ketë reagim të saj.