Ndër karakteristikat e fshatit Bresanë është edhe tradita që ka në ruajtjen e kultivimit të vlerave kombëtare dhe fetare.
Si karakteristikë është edhe fakti se është ndoshta ndër fshatrat e rrallë që ka dy xhami. Njëra ndër to, e ndërtuar së voni, llogaritet si më e madhja në trojet shqiptare, dhe jo vetëm.
Arsyeja e ekzistimit të dy xhamive, sipas imamit Kasam Muhameti, është sepse sidomos pas vitit 1990 filloi të shtohej xhemati në xhaminë e vjetër, transmeton Telegrafi.
“Në mungesë hapësire të mjaftueshme për xhematin e shumtë, në vitin 1994 lindi ideja që namazi i xhumasë të falej në xhami në dy grupe, e po kështu të veprohej edhe për namazet e muajit të Ramazanit dhe gjatë festave fetare”, thotë Muhameti.
Insistimi për të ndërtuar edhe një xhami, sipas tij, u shtua shumë, por nuk u arrit të mblidheshin forca për t’ia filluar kësaj pune, mbase edhe për shkak se ishte kohë trazirash,kur pas pak do të shpërthente edhe lufta në Kosovë dhe në vitin 1999 do të dëbohej me dhunë nga okupatori serb popullata e të gjitha fshatrave të Opojës.
Pas luftës, me rikthimin në vatrat e tyre, përkatësisht më 2001 u mor vendimi nga udhëheqësit e fshatit dhe xhemati që të mobilizoheshin për të nisur ndërtimin e xhamisë së re aty ku ishte paraparë që në vitin 1995.
Më 2002, përkatësisht më 26 gusht 2002 ndodhi “mrekullia” dhe Bresana mblodhi forcat për t’i vënë gurthemelin xhamisë së re, natyrisht pasi ishin siguruar mjete materiale nga vetë xhemati.
Sipas Muhametit, me kontributin e xhematit filloi ndërtimi i bazës së xhamisë. Muret dhe kubetë e xhamisë mbetën pa u ngritur për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së mjeteve.
Ai shton se më 2006, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës gjithashtu siguroi një fond për muret dhe kubetë e xhamisë së re, por ato nuk u punuan sepse projekti kërkonte investim më të madh.
“Ky fond ishte i pamjaftueshëm për t’u vënë në funksion xhamia, sepse kishte mbetur pa dyer e dritare, muret ishin të palyera brenda dhe jashtë, nuk kishte rrjet elektrik dhe as qilima në dysheme. Megjithatë, nga viti 2007 xhemati filloi të falte namazin e xhumasë dhe ato për festa fetare”, thekson imami Muhameti.
Ndërkaq, shton ai, në shtator të vitit 2009 u organizuan një grup për të punuar dhe për investime në xhaminë e re.
Kjo iniciativë, sipas tij, u mbështet dhe u përkrah fuqishëm nga xhemati, saqë disa prej tyre shitën tokë për të kontribuar në xhami, disa nga xhemati dhanë kontribut edhe në vlera: 5000, 10000, 15000, 20000 eurosh, por pati edhe të tillë që kontribuuan edhe në vlerë prej 30000 eurosh.
“Në nëntor të vitit 2009 u hap solemnisht xhamia e re me brendinë e xhamisë të gatshme për t’u falur xhemati, u vu gurthemeli i dy minareve dhe ato u ngritën dhjetë metra. Megjithëkëtë, për shkak se bëheshin punime edhe në oborr të xhamisë – në xhami faleshin vetëm xhumatë”, bënë të ditur Kasam Muhameti.
Sipas imamit të xhamisë, tashmë xhamia posedon edhe automjetin për transportimin e kufomave.
Gjithashtu, aty janë rregulluar edhe parkingu, oborri dhe fontana. Në xhami është i instaluar edhe uji alternativ, që zakonisht përdoret për mirëmbajtjen e hapësirës së gjelbëruar. Kjo xhami me respekt mban emrin e mësuesit të nderuar të këtyre trevave, myderriz Rexhep Ismaili.
“Është xhamia më e veçantë në trojet shqiptare, sepse është më e madhja dhe e vetmja deri tash me katër minare”, thotë imami Muhameti.
Ai, thotë se në këtë kontribut gjithashtu nuk duhet harruar as mbështetja e kuvendit komunal, i cili gjithmonë i ka përkrahur.
“Në të dy xhamitë aktualisht mësimet islame i vijojnë më shumë se treqind nxënës filloristë e të rritur”, përfundon Muhameti. /Telegrafi/
[youtube height="400" width="100%" align="none"]https://www.youtube.com/watch?v=Bwzuk2D8ihw[/youtube]