Kryeministri Rama i dorëzoi kreut të KMSH-së lejen e ndërtimit të Xhamisë së Madhe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një takimi në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare ka deklaruar se tashmë për ndërtimin e Xhamisë së Madhe (Namazgjasë) në Tiranë nuk ka asnjë pengesë, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama i ka dorëzuar lejen për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë kryetarit të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj. Kryeministri Rama në fjalimin e tij u shpreh se ka ardhur koha ti rikthehet dinjiteti  muslimanëve të cilët politika i la në mëshirë të fatit.

"Gjëja që më ka lënë mbresë është durimi i këtij komuniteti i cili ka duruar për më shumë se 20 vjet me radhë. Jam krenar që në një kohë realisht të shkurtër në detyrën tonë, i dhamë zgjidhje një problemi që qëndroi i hapur kaq gjatë. Kjo kohë provon se ky problem ka qëndruar kaq kohë i hapur si mungesë e vullnetit politik. Sot jam i lumtur sepse zoti e desh dhe vullneti ynë e bëri të mundur që të mos kishim një xhami ngjitur një pallati dhe një qendre tregtare por të kemi një xhami pranë së cilës do të ngrihet një muze i bashkëjetesës fetare. I jam mirënjohës Selim Muçës në fillim, Skënder Bruçajt më pas që me shumë mirëkuptim ka bashkëpunuar me ne, për ta kthyer xhaminë në parametrat e duhur dhe për të mos e lënë më në rrugë të shtyrë deri në buzë të trotuarit, por për ta vendosur në qendër të parkut të Namazgjasë dhe për ta rrethuar me pemë, gjelbërim, hapësira.”- u shpreh Kryeministri Rama.

Rama gjatë fjalës së tij ka pohuar se sot iu hap rruga një projekti për një xhami në parametrat e bukur dhe të duhur, duke ia shtuar edhe më tej vlerën e saj. Rama ka theksuar se pranë saj do të jetë edhe një muze si simbol i bashkëjetesës fetare.

Rama gjithashtu dha dy mesazhe duke u shprehur se mesazhi i parë është: "për ne edhe për gjithë botën nëse laicitetei shprehet në shumë mënyra në vende të ndryshme, në Shqipëri shprehet si “bashkëjetesa fetare” dhe solidariteti mes njëri- tjetrit. 

Dhe së dyti: “Muslimanët në Shqipëri janë një shembull i mirë për vendin tonë dhe për tërë Europën. Luftërat midis shteteve dhe feve nuk ekzistojnë, por ekzistojnë luftërat mes injorancave".

Ndërsa kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj u shpreh se: “patjetër këtë përgjegjësi do ta çojmë deri në fund. Dhe ju falënderojmë të gjithë për mbështetjen e dhënë”.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat