Një gjykatë egjiptiane të shtunën i ka hequr ish-presidentit, Hosni Mubarak akuzat për konspiracion në vrasjen e protestuesve gjatë kryengritjes së vitit 2011, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykata hoqi gjithashtu akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Habib el-Adly dhe gjashtë ish-zyrtarëve të lartë të sigurisë për urdhërimin e vrasjes së qindra protestuesve gjatë kryengritjes 18-ditore, e cila i dha fund sundimit 30-vjeçar të Mubarakut në fillim të vitit 2011.
Në fund të vitit 2012, Mubarak dhe al-Adly u dënuan të dy me nga 25 vjet burg për urdhërimin e vrasjes së demonstruesve gjatë kryengritjes. Gjykata më pas urdhëroi një rigjykim ndaj dënimit, si pasojë e apelimit me sukses të avokatëve të ish- presidentit.
Gjatë seancës të së shtunës, gjyqtari i procedurës paraprake gjithashtu ka liruar ish-presidentin Mubarak nga një akuzë korrupsioni që e përfshinte në eksportet e gazit në Izrael. Dy djemtë e Mubarakut Alaa dhe Gamal u liruan gjithashtu nga akuzat për spekulim. Vendimet e të shtunës janë ende subjekt për tu apeluar.