Erdogan fton Gylenin që t'i bashkohet të arrestuarve

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka ftuar klerikun kontravers Fethulla Gylen, për t'u bashkuar me ekipin e tij të njerëzve të dyshuar të cilët policia i arrestoi në operacionin kundër "shtetit paralel", raporton AA.

Gjatë fjalimit, të cilin e mbajti me rastin e lëshimit në qarkullim të trenit të shpejtë të linjës Konja - Stamboll, presidenti iu referua ngjarjeve të fundit në vend.

Publikisht iu drejtua klerikut Fethulla Gylen dhe lëvizjes së tij të ashtuquajtur duke thënë: "Askush nuk të pengon të vishë në Turqi. Nëse dëshiron ti bashkohesh ekipit tënd, je i mirëseardhur në Turqi."

Erdogani tha se "Gyleni ndodhet në Shtetet e Bashkuara" dhe se ekipi i tij është nën ndikim ndërkombëtar.

"Nuk do t'ia dorëzojmë Turqinë rrjetit të tradhtarëve, përfaqësuesve të qarqeve ndërkombëtare apo maskarenjve që veprojnë nën maskën e mësuesve fetarë," tha Presidenti i Turqisë.

Ai më tej kritikoi Bashkimin Evropian për shkak të qëndrimit të saj ndaj hetimit të zyrtarëve të lartë të mediave dhe zyrtarëve të policisë të kryera në Turqi.

"Bashkimi Evropian nuk mund t'ia mësojë demokracinë Turqisë, por Turqia të njëjtën gjë mund t'ia mësojë Bashkimit Evropian. Turqia mund të japë leksione nga demokracia për qëndrimin e saj parimor në Siri dhe grushtit të shtetit në Egjipt," tha presidenti.

Përfaqësuesja e Lartë për punë të jashtme pranë Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kohët e fundit tha se operacioni kundër "shtetit paralel" i cili zbatohet në Turqi, nuk është në përputhje me vlerat evropiane.

"Turqia nuk është qengj për t'u ther. BE-ja duhet së pari të shikohet në pasqyrë. Po e njëjta Evropë i mbyll sytë për Sirinë dhe masakrat në Palestinë," shtoi Erdogan.

Të dielën, policia turke në 13 krahina, realizoi një fushatë kundër figurave të njohura nga bota e medias dhe zyrtarëve të lartë të policisë për lidhje të pretenduara me lëvizjen që qeveria e quan "shtet paralel". Në këtë operacion u arrestuan më shumë se 20 të dyshuar.

Në fund të fjalimit të tij, Presidenti i Republikës së Turqisë shprehu keqardhje të thellë për shkak të sulmit të tmerrshëm terrorist të ndodhur dje në Pakistan, sulm i cili mori jetën e më shumë se 130 studentëve.

"Ky sulm i neveritshëm përsëri dëshmon fytyrën e errët të terrorizmit", përfundoi Erdogan.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat