Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë sot mbajti mbledhjen e rregullt të muajit dhjetor, që është e fundit për këtë vit. Në këtë mbledhje përveç pika të shumta të rendit të ditës, pikë e ‘nxehtë’ doli të jetë shqyrtimi i propozim-vendimit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme për Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri për ndërtimin e një xhamie.
Mirëpo, kjo doli të ishte problematike, pasi që prona në fjalë ishte e kulturës bujqësore dhe për pasojë nuk lejohet të jepet në shfrytëzim për ndërtim, raporton Veriu.info.
Fillimisht reagoj anëtari i Kuvendit Komunal, Muharrem Shabani, i cili kërkoj sqarime nga përfaqësuesi ligjor i komunës, në lidhje me anën formale-juridike të këtij propozim-vendimi.
Përfaqësuesi ligjore i komunës së Vushtrrisë, Idriz Muzaqi, tha se toka kështu siç është propozuar në Kuvend nuk mund të jepet në shfrytëzim, pasi që tha se kultura e saj është bujqësore dhe për pasojë s’mund të jepet për ndërtim të xhamisë, pa iu ndërruar paraprakisht kultura.
Asambleisti i PDK-së Ilzmi Azemi kërkoj që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për më vonë, për shkak siç tha, të paqartësive, por edhe kërkoj që prona në fjalë t’i jepet Bashkësisë Islame në kompensim me ndonjë pronë tjetër të saj.
Edhe asambleisti tjetër i PDK-së, Habib Mustafa, kërkoj që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për seancën e radhës, në mënyrë që të sqarohen të gjitha dilemat e ngritura.
Pas këtyre kërkesave, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, Shpetim Zhegrova, e hodhi në votim kërkesën për shtyrje të kësaj pike për seancën e radhës, ku vetëm 11 asambleistë votuan ‘pro’, ndërsa 16 ishin kundër. Tek ky votim gjysma e asambeilstëve të PDK-së votuan për kërkesën për shtyrje, e gjysma tjetër kundër shtyrjes, që ishte në fakt kërkesë e bashkëpartiakëve të tyre.
Pastaj kryesuesi e hodhi në votim propozim-vendim për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone, ku me shumicë votash u votua ‘pro’, me një ndryshim në titullin e propozimit që thuhej se toka nuk jepet në shfrytëzim për ndërtimin e xhamisë, por vetëm jepet në shfrytëzim. /Veriu.info/