Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin një xhamie në qytetin e Eskilstuna në Suedi. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme ndërsa 5 persona janë plagosur si pasojë e flakëve.
Siç bën të ditur media, në xhami ka qenë rreth 20 persona që ishin duke u falur, kur ka shpërthyer zjarri.
Mediat lokale kanë bërë të ditur se, tymi dhe flakët dilnin nga dritaret e xhamisë që ishte e vendosur në katin e parë të një ndërtese disa katëshe.
Incidenti vjen në një moment kur në Suedi është hapur një debat i ashpër për politikat e emigracionit.
Ekstremistët e djathtë duan që të shkurtojnë me 90 për qind pranimet e të huajve në vend, ndërsa pjesa tjetër e politikës do të ruajë kushtet liberale të vendit.
“Një dëshmitar pa një njeri që hodhi një send nga dritarja e xhamisë në katin e parë të ndërtesës dhe më pas shpërthyen flakët”, tha zëdhënësi i policisë lokale, Lars Franzell.
Policia ka nisur hetimet por deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar.