Kjo është gjendja pas reshjeve të borës në Kosovë (Video)

Rënia e temperaturave dhe bora që ka reshur këtë të diel, ka bërë që të shkaktohen shumë aksidente trafiku nëpër qytete të Kosovës dhe nëpër magjistrale.

Vështirë të qarkullueshme kanë qenë pothuajse të gjitha rrugët. Si pasojë e borës, në 72 aksidente janë lënduar 15 persona, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Rruga Kaçanik-Hani i Elezit është e bllokuar te tunelet, për shkak të mjeteve të rënda. Po ashtu vështirësi në qarkullim ka në rrugën Pejë-Kullë, Mitrovicë-Shalë e Bajgores, Gjilan-Llabjan në drejtim të Novobërdes. Gjatë 24 orëve të fundit, sipas Policisë së Kosovës, kanë ndodhur 72 aksidente trafiku prej të cilave 15 me persona të lënduar” ka thënë Baki Kelani.

Policia u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar pasi që në shumë rrugë ka vështirësi qarkullimi si pasojë e borës.

E bllokuar ishte edhe rruga Pejë-Prishtinë dhe janë krijuar kolona të gjata veturash. Për shkak të kushteve atmosferike dhe si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë kanë ndodhur edhe aksidente, që kryesisht kanë qenë me dëme materiale. Fati të njëjtë kanë pothuajse të gjitha rrugët e vendit.

Edhe në Drenicë, qarkullimi i automjeteve kanë qenë i vështirë gjatë intensitetit më të madh të reshjeve të borës. Bllokada ka pasur edhe nëpër rrugë të Gjakovës, në Rahovec dhe në Klinë.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron ulje temperaturash javën e ardhshme deri në minus 18 gradë Celsius. /Koha/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat