Shefi i ekzekutivit turk, Ahmet Davutoglu, dënoi sot publikimin nga e përjavshmja satirike franceze "Charlie Hebdo" të një karikature të Profetit Muhamed, duke deklaruar se "liria e shprehjes nuk do të thotë liri për të fyer".
"Publikimi i kësaj karikature të Profetit Muhamed përbën një provokim të rëndë … Liria e medias nuk nënkupton lirinë për të fyer", deklaroi Kryeministri Davutoglu për gazetarët para nisjes për në Bruksel.
"Ne nuk mund t’i pranojmë dhe as t'i lejojmë fyerjet e bëra ndaj Profetit Muhamed", theksoi ai.
Kreu qeverisë turke do të vizitojë Brukselin për një sërë kontaktesh dypalëshe mbi çështje të shumta, ku spikasin përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE dhe hapja e kapitullit të 17-të të negociatave, liberalizimi i vizave për qytetarët turq dhe zhvillimet e fundit në bashkëbisedimet për marrëveshjen e ripranimit, Unioni Doganor dhe qëndrimi mbi fushën e investimeve dhe tregtisë së përbashkët transatlantike.
Përveç zhvillimeve dhe bisedimeve dypalëshe, Kryeministri Davutoglu theksoi se do të gjejnë shansin për të shkëmbyer mendime rreth çështjeve rajonale e ndërkombëtare, me në krye Sirinë.
Sakaq, numri 1 i Ankarasë zyrtare do t'u drejtohet me një fjalim opinionistëve, akademikëve dhe rrethe mediatike në Bruksel; ndërsa në orët e mbrëmjes së sotme ai do të ketë një takim me përfaqësues të komunitetit turk në Belgjikë./trt/