Mijëra persona protestuan në mitingun, "Unë e dua pejgamberin Muhammed" në Grozni, në Republikën e Çeçenisë, kundër botimit të karikaturave të profetit Muhammed nga revista satirike franceze "Charle Hendo", raporton Anadolu Agency (AA).
Në orët e para të mëngjesit, protestuesit filluan të mblidhen para xhamisë "Zemra e Çeçenisë" në Grozni, për të shprehur pakënaqësinë e tyre për botimin e karikaturave. Turma mbante pankarta me mbishkrimet "Ne e duam pejgamberin Muhammed", "Duart larg nga pejgamberi ynë", "Kundërshtojnë botimin e karikaturave", dhe "I Dërguari i Allahut, ne të duam".
Në miting mori pjesë edhe presidenti çeçen Ramazan Kadirov, i cili vuri në dukje se gazetarët evropianë dhe politikanët nën maskën e demokracisë dhe të lirisë së shprehjes kanë zhvilluar "lirinë e fyerjes dhe jo të kulturës" dhe se kanë prekur ndjenjat e miliona besimtarëve.
"Sot nga këtu përcjellim mesazhin se jemi kundër të gjithë atyre që përmes karikaturës, fyejnë profetin Muhammed, dhe se kundërshtojmë mbështetësit e tyre. Autoritetet Franceze, në vend se të dënojnë sulmuesit dhe ata që publikuan karikaturat, organizojnë në rrugë tubime mbështetëse të revistës. Ne tani tregojmë se nuk pranojmë fyerjen e bërë ndaj profetit tonë Muhammed, dhe se jemi të gatshëm edhe të sakrifikohemi nëse është e nevojshme. Duam të gjithë ta dinë. Islami është fe e paqes dhe solidaritetit. Ne duam të sigurojmë paqen në vendin tonë dhe në botë," tha presidenti Kadirov.
Në këtë miting mori pjesë edhe patriarku i Groznit, Varlaam i cili theksoi se ortodoksët e Rusisë janë me vëllezërit e tyre muslimanët, dhe se kundërshton ofendimin e profetit Muhammed, ndjenjat fetare, si dhe krijimin e urrejtjes ndër fetare. Tubimi "Unë e dua profetin Muhammed" përfundoi pasi që besimtarët në sheshin përpara xhamisë së bashku falën namazin e mesditës.