Sot, në horizontin e tetë të minierës së Stantërgut, minatorët e Trepçës kanë hyrë në grevë për të kundërshtuar vendimin e djeshëm të Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, për ta hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e çështjes së kombinatit Trepça gjatë miratimit të Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve publike dhe pasurisë së tyre. Minatorët po kërkojnë që kombinati Trepça, t’i merret nga menaxhimi Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP) dhe t’i kthehet në pronësi Qeverisë së Kosovës duke u shpallur ndërmarrje publike.
Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, në orët e mbrëmjes, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për riorganizimin e Ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurinë e tyre mirëpo, paraprakisht kishte votuar për “Shmangie nga rregullorja e rendit të ditës për afatet kohore për ndryshimin e projektligjit për ndërmarrjet shoqërore”, gjë e cila ka shkaktuar reagime të ashpra të opozitës , Vetëvendosjes, AAK-së dhe NISMA-s, që e kishin braktisur sallën e Kuvendit.
Kështu, mos marrja e vendimit që Trepça të kthehet në pronësi të shtetit dhe zvarritja e marrjes së vendimit për Trepçën, ka shkaktuar indinjatë të madhe tek minatorët e Trepçës, të cilët sot u futen në horizontin e tetë të minierës së Stantërgut, siç deklaruan në mediet kosovare, për ta ruajtur pasurinë dhe shtetin e Kosovës.
Sot gjatë ditës dhe më vonë, në orët e mbrëmjes, horizontin e tetë ku janë duke bërë grevë minatorët, u vizituan nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava. Ata, disa herë tentuan t’i bindin minatorët që të ndërprenë grevën por, pa sukses.
Ndërsa, për t’i përkrahur kërkesat e minatorëve, sot në Trepçë kishin qëndruar shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, deputetja Donika Kada Bujupi dhe deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj. Ata deklaruan se “minatorët kanë plotësisht të drejtë në grevën e tyre pasi që, në mbledhjen e djeshme të Kuvendit të Kosovës, Ligji është tërhequr në mënyrë arbitrare nga Qeveria e Kosovës”, sikurse u shpreh deputetja Kadaj-Bujupi, me kërkesë të kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë ditës ishin paralajmëruar edhe vizitat e kryeministrit Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, por kjo nuk u realizua.
Aktualisht, raportohet për rreth 700 minatorë të cilët po e vazhdojnë grevën, të ngujuar në horizontin e tetë të minierës në Stantërg, 750 metra nën tokë, duke kërkuar që Ligji për Trepçën të miratohet urgjentisht, brenda 24 orëve. Në të kundërtën, nëse Kuvendi i Kosovës nuk vendos të mbajë seancë në të cilën do ta shqyrtojë dhe miratoj Ligjin për Trepçën, minatorët kanë deklaruar se do të vendosin për hapat tjerë.
Kjo situatë, kthen faqen e historisë kosovare në ditën e 20 shkurtit 1989, kur në minierat e Trepçës ishte mbajtur greva e njohur si “Greva 9 ditëshe e urisë e minatorëve të Trepçës”, atëbotë në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe të shqiptarëve, në kuadër të shtetit të dikurshëm të Jugosllavisë, grevë kjo e cila kishte tronditur opinionin ish-jugosllav dhe mbarë botën.