Qytetarët e Prishtinës, po mendojnë të nisin vetë t’i eliminojnë qentë endacakë. Kështu të paktën është shprehur babai i një vajze 8- vjeçare, e cila është kafshuar nga qentë endacakë, derisa ishte duke u kthyer nga shkolla.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve që sa më parë të ndërmarrin hapa për gjendjen.
Qentë endacakë mbesin rrezik i përhershëm për banorët e kryeqytetit.
Një tetëvjeçare ka marrë lëndime në këmbë nga kafshimi i një qeni, fare pranë banesës ku jeton, në lagjen “Mati 1” në kryeqytet, raporton KTV.
Ajo është sulmuar nga një grup qensh, që për strehë kanë themelet e një shtëpie të papërfunduar.
Babai i saj, Atdheu, pos apelit që institucionet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për gjendjen e krijuar, shprehet se nëse nuk bëhet diçka, të përkujdeset vetë për eliminimin e qenve, transmeton koha.net.
Sulmet e qenve endacakë, janë shpeshtuar në stinën e dimrit.
Rasti më i rëndë ka ndodhur në fund të vitit të kaluar, kur një 7- vjeçar nga Fushë- Kosova ka humbur jetën pasi u ishte kafshuar nga qentë endacakë.