Analisti Shpend Kursani ka bërë me dije se nuk ka ndonjë studim apo rast në botë, kur protestat kanë ndikuar negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja. “Në Francë apo Gjermani ndodhin dhjetëra protesta të dhunshme në ditë, mirëpo atyre vetëm sa u shtohen investitorët. Ky fakt tregon se protesta nuk qenka shkaku i largimit të investitorëve. Në të njëjtën kohë Kosovës nuk i vinin investitorët edhe para se të ndodhnin këto protesta. Pra, fakt ky tjetër që tregon se protestat nuk janë shkaktare të largimit të investitorëve, por është mungesa e sigurisë dhe transparencës, gjegjësisht haraçi që u vihet atyre nga njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin”, ka thënë Kursani. Sipas tij, protestat vetëm sa do ta përmirësojnë imazhin e Kosovës, pasi deri më tani populli i Kosovës është konsideruar i klasës së tretë. “Sa i përket imazhit, ajo nuk do të duhej të kishte fare rëndësi, sepse rëndësi ka si je brenda, e jo si dukesh jashtë. Sidoqoftë, mendoj se protestat vetëm se do ta përmirësojnë imazhin edhe të Kosovës, por edhe të popullit të Kosovës. Deri më tani populli i Kosovës është shikuar si i klasës së tretë dhe i prapambetur, i cili duron padrejtësi dhe kësisoj edhe shumë nga misionarët ndërkombëtarë e kanë nënçmuar. Me protesta populli i Kosovës vetëm se hyn në rangun e popujve perëndimorë dhe kësisoj barazohet me imazh”, është shprehur Kursani.
