Kisha Ortodokse Serbe “Sveti Nikolla” (“Shën Nikolla”) e cila është e ndërtuar brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit të Millosheviçit, shumë herë është bërë temë diskutimi, herë për ndërtimin e imponuar nga regjimi, e herë për ndërtimin e paligjshëm.
Përderisa shumë shpesh është thënë se ajo duhet të rrënohet për shkak se nuk është e legalizuar, fati përfundimtar i saj do të vendoset pas pesë shkurtit. Nëse askush nuk aplikon për regjistrimin e këtij objekti, pas këtij afat, ai do të trajtohet si të gjitha objektet e tjera.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, shefja e kabinetit të Komunës së Prishtinës, Fitore Pacolli, e cila ka thënë se pas kësaj date do të shohim se çdo të bëjmë me të.
“Edhe ky objekt si të gjitha objektet tjera do të trajtohet në mënyrë të njëjtë, në bazë të ligjit për legalizim, pra nëse deri më 5 shkurt paraqitet ky objekt, pra lajmërohet për regjistrim në drejtorinë e urbanizmit, atëherë edhe ky objekt do të trajtohet si të gjitha objektet tjerët për legalizim në bazë të ligjit”, tha Pacolli.
Me këtë i bie që kjo kishë, nëse nuk paraqitet për legalizim, atëherë do të hyjë në listën e rrënimit, pasi që sipas Ligjit për legalizim, fatin e tillë do ta kenë të gjitha objektet pa leje që nuk aplikojnë për regjistrim deri në afatin e caktuar. Por, një gjë të tillë nuk e ka saktësuar komuna.
“Nëse nuk do të paraqitet kërkesa do të shohim se si do të veprojmë”, tha ajo. Por, nëse ka aplikuar apo jo, një gjë e tillë do të mësohet pasi të përfundoj ky proces.
Ky objekt ka dhe një problem tjetër. Për të paraqitur kërkesën për regjistrim, sipas nenit 16 të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me numër 04/L-188, Kisha Ortodokse duhet të ketë të bashkangjitur edhe pëlqimin e Universitetit të Prishtinës.
“Nëse aplikuesi i një njësie të ndërtuar pa leje në një ndërtesë në bashkëpronësi të ndërtuar me leje, paraqet një kërkesë për t’u përfshirë në regjistrin komunal të ndërtimeve pa leje, aplikacionit duhet t’i bashkëngjitet pëlqimi i pronarëve i cili duhet të jetë i verifikuar tek organet kompetente”, thuhet në këtë nen.
Një gjë e tillë është shumë e vështirë, pasi Universiteti i Prishtinës ka paditur në shtator të vitit 2012 këtë kishë, me pretendimin se ajo është ndërtuar në hapësirën e cila i takon këtij universiteti dhe se kështu, ajo, në mënyrë jo-legjitime ka ndërhyrë në sistemin kadastral duke uzurpuar një sipërfaqe të përgjithshme prej 4.27 hektarë.
Konstruktimi i Kishës ortodokse serbe “Shën Nikolla” ka filluar në vitin 1995, por ndërtimi i saj është ndërprerë gjatë luftës në vitin 1999.