Dymbëdhjetëvjeçari Andrit Bardhi nga Gjakova, është rrahur keq nga mësimdhënësit i tij Muhamet Sada, teksa dyshohet se ka pësuar lëndime në vesh dhe në aparatin e dëgjimit e drejtpeshimit.
Ngjarja ka ndodhur të premten pasdite, konkretisht në orën e pestë, në të cilën mësimdhënësi Sada po e mbante orën e Ekologjisë.
“Andriti është nxënës shembullor dhe asnjëherë nuk ka krijuar probleme në shkollë. Dje është pyetur nga mësimdhënësi dhe si çdo herë është përgjigjur në të gjitha pyetjet mësimore. Për këtë është notuar me notën më të lartë. Ndërkohë, një shoqe e bankës e ka pyetur për një mësim dhe ky i ka treguar numrin e faqes në libër. Në këtë moment, pa asnjë paralajmërim, mësimdhënësi është drejtuar tek Andriti, e ka ngritur lartë duke e kapur për veshë dhe e ka goditur disa herë në fytyrë dhe në pjesën prapa veshit”, rrëfen ngjarjen babai i Andritit, Besniku.
Babai thotë se kësaj pune do t’i shkojë deri në fund dhe se ndaj mësimdhënësit Sada do të iniciojë edhe padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Ndërkohë, gazeta ka tentuar të kontaktojë me mësimdhënësit Muhamet Sada, por ai nuk është përgjigjur në telefonin e tij celular.
Nxënësit thonë se arsimtari njëjtë deshi të veproi edhe me Yll Godenin, por ky i fundit thotë se u mbrojt. Një nxënëse thotë se të gjithë janë frikësuar, e Andriti thotë se nuk do të futet më në orën e këtij mësimdhënësi sepse nuk ndihet i sigurt.
Të shqetësuar janë prindërit e nxënësit të rrahur, sepse Andriti iu nënshtrua dy vizitave mjekësore, ndërsa kishte edhe ankthe natën. /Zëri/Klan Kosova/