Shtatë krerë lopë sa ka miniferma, kanë ndërruar pronarin. Por, jo edhe vendin ku ato qëndronin dhe ushqeheshin. Me gjithë stallën e ndërtuar me subvencione të Ministrisë së Bujqësisë, Eset Gashi nga Mramori i Prishtinës, i ka lënë edhe kafshët brenda saj.
30-vjeçari kishte bërë një minifermë, por ai kishte dështuar në zgjerimin e saj. Ish-punëtori i njërës nga bankat më të mëdha në Kosovë, që kishte mbaruar fakultetin ekonomik, me pagën që merrte, nuk ia dilte të mbijetonte bashkë me të shoqen dhe fëmijët e tij.
Ai ndonëse kishte një shtëpi familjare në Matiçan të Prishtinës, ku jetonin edhe disa nga vëllezërit e tij, kishte planifikuar që pasuri të bëjë përmes blegtorisë.
Edhe e shoqja e tij, që kishte mbaruar fakultetin, e kishte përkrahur që të kthehej në fshatin e tyre të lindjes dhe të merren ekskluzivisht me ngritjen e fermës.
Por, ndonëse dy vjet më parë Gashi kishte shumë vullnet në ngritjen e fermës, puna prej dy vjetësh në terren i kishte sjellë shumë sfida, duke ia përmbysur edhe ëndrrat kryefamiljarit të ri. /zeri/