PDSH e BDI Avni Avdiut: Nëse nuk nënshtrohesh s'të kryejnë punë as 15 doktorata

Se dashuria ndaj dijes nuk ka kufij ka vërtetuar veprimtaria e deritanishme e Avni Avdiut nga Kumanova. Avdiu njihet me përkushtimin e tij ndaj mësimnxënies, është autor i disa librave, emisioneve dhe mediumeve të ndryshme. Më 16 shkurt Avi Avdiu ka mbrojturme sukses temën e doktoraturës: “Nocioni i së majtës dhe të djathtës te partitë politike shqiptare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë prej vitit 1990 deri më 2010″, me ç’rast ka marr titullin Doktor i shkencave të filozofisë politike. Avdiu ka kryer tre Fakultete, 2 Magjistratura e tani edhe me gradë doktor shkence. Ai në entin e punësimit në Kumanovë evidentohet si i pa punë, raporton gazeta “Lajm”.

Përgatitja e tij profesionale të jep përshtypjen se tanimë ky person në adresë të tij ka përplot oferta për punë. I pyetur nga “Lajm” nëse ka pasur ndonjëherë ofertë për punë, Avdiu përgjigjet: “Asnjëherë. Dhe për më tepër, prej se kam diplomuar në këto drejtime, e pastaj magjistruar plot 10 vite nuk ka vend ku nuk kam konkuruar prej Universitetit të Tetovës e deri në administratë. I kam të gjitha vërtetimet e konkurimit prej vitit 2005”.

Në administratë nuk është ftuar as në intervistë që, siç thotë ai, është e precizuar me ligj se duhet patjetër, pra janë shkelur e thyer edhe të gjitha ligjet në rastin tim.

“Në Universitetin e Tetovës kam konkuruar me dhjetëra herë dhe hapur në sy më kanë thënë: ‘Ndash kryej edhe 15 doktoratura se pa parti s’mund të hysh, mos u harxho kot’. Kjo ka ndodhur edhe kur ishte PDSH edhe kur ishte BDI. U jam drejtuar me imejl edhe disa personaliteteve profesorë universitarë, funksionarë të lartë të PDSH-së kur ajo e kontrollonte këtë vatër arsimore edhe të tani atyre të BDI-së, as që ma kanë kthyer përshëndetjen. Lëre që as nuk më kanë thirrur në intervistë, por edhe janë tallur me mua. Madje vetë i kam dëgjuar me veshët e mi disa, duke i urdhëruar aty punonjësit në administratë ‘stigmatizoje këtë’, thjesht nuk e di përse. Kujt në jetë askujt keq s’i kam bërë, veç i kam kritikuar nganjëherë me shkrime të gjitha partitë pa përjashtim, madje e kam kritikuar me një rast edhe RDK për të cilën në fillim i shkrova dy shkrime pozitive; por kritike të arsyeshme me argumente. Mirëpo kurrë nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk e kam ndërmend të përzihem në parti politike, përderisa ato janë kështu siç janë. Platoni thoshte para afro 5000 vjetëve se shtetin duhet ta udhëheqin filozofët. Sot kemi ardhur në një kohë që me ta po tallen. Mirëpo çdo furtunë nuk zgjat shumë, s’ka zullum që mund të ketë jetëgjatësi, ashtu siç u dëshmua historikisht me barbarizmin, fashizmin, komunizmin dhe tani me keqpërdoruesit e demokracisë liberale. Për nga natyra jam ashtu: s’mund t’i them kurrë të zezës e bardhë, e as të keqes e mirë. Ky është i vetmi faj imi në këtë shtet e në këtë shoqëri; se mundohem të kontribuojë aq sa mundem për të mire”, thotë për “Lajm” Avdiu.

Sipas Avdiut perspektiva e Maqedonisë është diçka e paimagjinueshme, ka kaoticitet dhe difuzitet. “Unë në filozofinë politike në këtë linjë jam ithtar i racionalizmit kritik poperian. Pra mendoj se ajo që ka thënë dijetari i madh hebrenj Karl Poper qëndron, prandaj nuk dua të bie në kurthe të historicizmit, sepse nuk mund të bëhen profetizime për aspekte shoqërore, me fjalë të tjera që ta kuptojnë populli, unë nuk jam fallxhor që ta prognozojë të ardhmen, sepse herë-herë ajo del e paparashikueshme, ka kaoticitet dhe difuzitet. Ndërthuren shumë parakushte e kushte multidimensionale, që e bëjnë të paimagjinueshme çdo mendim për pasojat e mundshme”, thekson për “Lajm” Avdiu.

Fakti që evidentohet në Entin për punësim si i papunë është pasojë e asaj se Avdiu nuk është “i ngjyrosur” politikisht. Madje ai vetë e konfirmonë këtë.

“Absolutisht ashtu. Pa kurrfarë dileme, madje këtë e dinë edhe kalamajtë. Mirëpo publikisht e them kurrën e kurrës nuk do t’i bëhem askujt servile, asnjë partie, asnjë grupacioni dhe asnjë individi. Nuk jam filozof oborrtar që u shërbejë mbrapshtive, matrapazllëqeve dhe marifetllëqeve të atyre që udhëheqin në emër të popullit kundër interesave të tij. Nuk dua të bëhem avokat i tyre, e pastaj të anatemohem prej popullit tim siç thoshte Gete si shpirt i shitur. Në shpirtin tim fle paqja, mirësia, dashuria dhe jam larg perversiteteve të liga. Unë jam zotuar se do të mbetem gjithnjë dashamirë i të gjithë atyre që janë njerëz të mirë, të sinqertë, të vërtetë, që e duan Zotin dhe kombin dhe që punojnë përnjëmend pa kurrfarë hile për mirëqenien e përgjithshme të popullit”, deklaron për “Lajm” Avni Avdiu. 

Në pyetjen tonë se a do të ishte i papunë sikurse të ishte maqedonas Avdiu është përgjigjur: “Jo kjo s’ka lidhje. Padrejtësitë më të mëdha në këtë aspekt pas luftës së 2001 po i bëjnë partitë politike shqiptare, pa përjashtim. Ato e vazhduan traditën e PPD-së. Ka me dhjetëra raste kur ato kanë punësuar maqedonas, vetëm e vetëm që të pengojnë shqiptarin që nuk u është përkulur. Mua më dhimbset populli që po heq të zitë e ullirit, se jo për vete; absolutisht. Unë tekefundit mund të dalë edhe jashtë vendit, me gjithë dëshirës së madhe për të kontribuar këtu për shqiptarët në Maqedoni e Kosovë, por e kam hallin e shumë të rinjve që po i mbajnë peng me premtime të kota, pa pasur vizion të qartë se s’mund të mbingarkohet administrata me personel që sillet vërdallë nëpër zyre, por duhet të hapen vende pune funksionale, sipas modelit perëndimor”.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat