A po thithim helm në vend të ajrit?

Niveli i lartë i ndotjes së ambientit dhe ajrit në Kosovë, po bëhet shkaktari kryesor i sëmundjeve të frymëmarrjes. Vetëm në vitin 2014, në Kosovë, janë prekur nga sëmundjet respiratore 10 mijë e 963 persona, duke filluar nga sëmundjet më të lehta, si infeksione të traktit të poshtëm respiratorë (ARI) por dhe infeksione të traktit të poshtëm respiratorë me dekurs klinik më të rënë (SARI).

Kështu thotë për lajmi.net Ariana Kalaveshi, shefe e sëmundjeve ngjitëse në Institutin Kombëtarë për Shëndetësi Publike (IKSHP).

Ajo fajtorë kryesor për këtë e lë nivelin e lartë të ndotjes së ambientit në vend, e si rrjedhojë edhe të ajrit.

“Numri i të prekurve nga sëmundjet respiratore në Kosovë për vitin 2014 ka qenë: Infeksionet e traktit të poshtëm respiratorë/ARI (si forma më të lehta) janë raportuar ne 10 442 raste. Infeksionet e traktit te poshtëm respiratorë me dekurs klinik me të rëndë/SARI (që zakonisht paraqiten tek personat me sëmundje tjera kronike ) janë raportuar në 521 raste”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të IKSHP-së, vetëm në vitin 2014, nga sëmundjet respiratore, janë shkaktuar pesë vdekje.

“Numri i vdekjeve nga ky grup i sëmundjeve të raportuara në IKSHPK për vitin 2014, janë 3 raste të pneumonive (si komplikim i gripit) dhe 2 të bronkopneumonive”.

“Ndotja e ambientit sigurisht është një faktorë që mund të ndikojë në paraqitjen e këtyre sëmundjeve, sidomos në ato kronike respiratore” thotë Kalaveshi për lajmi.net.

Ndërkohë qytetet e Kosovës, është konstatuar se kanë nivele të larta të ndotjes në ajër. Sipas statistikave të publikuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), i cili bën matjen e ndotjes në ajër në të gjitha qendrat e Kosovës, shumica e qyteteve tejkalojnë nivelet e parashikuara nga Bashkimi Evropian.

Prania e grimcave të pluhurit të suspenduara në ajër, apo të ashtuquajturat grimcat PM10 dhe PM2.5, në gjetjet e IHK-së tejkalojnë vlerat e caktuara nga BE-je.

IHK deri më tani ka publikuar për vitin 2014 vetëm të dhëna për muajt shkurt, mars dhe prill, ku niveli i ndotjes shihet se ka kaluar normat në Prishtinë, Gjilan, Obiliq.

Ndërsa, sipas një raporti të Bankës Botërore, të botuar në vitin 2012, është thënë se Prishtina është tri herë më e ndotur se Londra për nga prania e grimcave të vogla në ajër, të rrezikshme për sistemin e frymëmarrjes. Ajo ia kalon edhe “luginës evropiane të silikonit” – Krakowit. Mijëra raste të ndikimit të këtyre copëzave në shëndetin e njeriut regjistrohen brenda vitit në Kosovë. 31 për qind e të gjitha trajtimeve mjekësore kanë të bëjnë me sëmundje frymëmarrje; 850 vdekje në vit mund të jenë pasojë e ndotjes.

Niveli i lirimit të grimcave PM 2.5 në ajër është mesatarisht 39.5 në Prishtinë, deri në tri herë më shumë se sa në shumicën e qyteteve evropiane.

Niveli i lirimit të grimcave PM 2.5 në ajër është mesatarisht 39.5 në Prishtinë, që krahasuar me kryeqytetin britanik, Londrën që është konstatuar se ka vetëm 13.5, i bije që sipas të dhënave të OBSh-së, numri i lirimit të këtyre grimcave në Prishtinë të jetë rreth tri herë më i madh.

Njëri ndër qytetet më të mëdha në Australi, Sidney, më 2009 kishte 7.0 prani të këtyre grimcave në ajër, sipas një studimi të OBSh-së. Ndërsa, përkundër se SHBA është shpenzuesi më i madh i naftës dhe resurseve natyrore, asnjë qytet i saj nuk tejkalon nivelin 15 të pranisë së grimcave PM 2.5 në ajër.

Niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë është shqetësues edhe për ekspertin e ambientit, Luan Shllakun.

Ai për lajmi.net thotë se shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit në Kosovë janë termocentralet, deponitë, por dhe gazrat që lëshojnë veturat.

Ky nivel brengosës i ajrit, sipas Shllakut, ndikon direkt në përhapjen e sëmundjeve të ndryshme të frymëmarrjes.

Ai thotë se grimcat PM10, kur futen në organizimin e njeriut mund të shkaktojnë dëme të mëdha, siç janë sëmundjet respiratore, por dhe llojet e ndryshme të kancerit. /lajmi.net/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat