Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndodhet për një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite.
Siç njofton agjencia turke e lajmeve AA, Erdogan është pritur në aeroportin e Xhidës nga guvernatori i kësaj province, Princi Mishaal bin Majid al-Saud dhe ambasadori i Turqisë në Riad, Yunus Demirer.
Në këtë vizitë zyrtare, Presidenti Erdogan shoqërohet nga zv/kryeministrat Yalçin Akdogan dhe Numan Kurtulmus; ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekçi; ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu; biznesmenë dhe gazetarë.
Menjëherë pas zbritjes në aeroportin e Xhidës, lideri turk është veshur me ihram, veshje e cila përdoret për të kryer umren. Pas veshjes së ihramit, Erdogan dhe delegacioni shoqërues u nisën drejt qytetit të shenjtë, Mekë.
Pas kryerjes së umres dhe një vizite në Xhaminë e Profetit në Medine, ku ndodhet edhe varri i Profetit Muhamed (s.a.v.), Presidenti turk pritet të kalojë në kryeqytetin arabosaudit, ku parashikohet edhe një takim me Mbretin Salman bin Abdulaziz al-Saud.
Pjesë e bisedimeve në Arabinë Saudite do të jenë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve dhe çështjet rajonale me interes të përbashkët dhe ndërkombëtar.
Një vizitë në Arabinë Saudite po realizon edhe Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, me të cilin Erdogan nuk ka parashikuar ndonjë takim.