Sot më 03.03.2015, në fshatin Gaçkë, të Komunës së Ferizajt u bë varrimi i policit Nebih Ramadani, nga Fshati Gaçke, i aksidentuar nga F. H nga Dubrava e Kaçanikut, ne magjistralen Ferizaj - Kaçanik, saktësisht te vendi i quajtur " Fusha e Pajtimit".
Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë: Kryetari i KBI- Kaçanik ef. Florim Neziraj, i cili ishte i shoqëruar me stafin dhe Imamët e Komunës së Kaçanikut, Imami i fshatit Gaçkë, Bujar ef. Hasani dhe Imamë të tjerë nga Komuna e Ferizajt, dhe një numër i madh i qytetarëve te komunës së Ferizajt, Kaçanikut dhe vendeve përreth.
Në këtë varrim pas kryerjeve të ceremonive fetare dhe nderimeve shtetërore nga ana e Policisë së Kosovës, me ndërmjetësimin e Kryetarit të KBI-së ef. Florim Neziraj u bë edhe shtrirja e dorës së pajtimit të dy familjeve, asaj Ramadani nga Gaçka, të cilët në mënyrë burrërore ia shtrinë dorën e pajtimit familjes Hajdari nga Dubrava e Kaçanikut.
Kryetari Neziraj, iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: " E nderuar Familja Ramadani, të nderuar të pranishëm fillimisht ju shprehi ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj, policit Nebih Ramadanin.
Sot familja e Nebihut, nuk duhet të jetë e pikëlluar për humbjen e të dashurit të tyre, përkundrazi duhet të jenë krenarë, për atë çfarë kishin, ndërsa pikëllimi dhe mërzia janë për te gjithë ne, sepse e humbëm një person i cili ishte dhe do të mbetet shembulli më i mirë se si duhet të jetë një polic, familjar, shok etj.
Të nderuar të pranishëm sot nuk ka humbur vetëm komuna e Ferizajt dhe e Kaçanikut, por ka humbur e gjithë Kosova. Ishte një person i cili dha një kontribut të çmuar në policinë e Kosovës, dhe në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Sot, bashkërisht me imamin Bujar ef. Hasani, iu drejtuam familjes Ramadani, për besë paqe për Familjen Hajdari, por ajo çfarë kemi marrë nga familja Ramadani, ishte madhështore, ua falën gjakun e Nebihut, dhe ia zgjatën dorën e pajtimit. Ndaj familja Ramadani, është shembull që duhet të ndjekjet në tërë Republikën e Kosovës.
E nderuar familja Ramadani, veprën që jeni duke e bërë sot nuk është vepër e vogël por është vepër që e donë Allahu xh.sh, në të cilën Muhamedi a,s thotë: " Allahu është Falës dhe e donë Faljen" ndaj edhe njëherë ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramadani".