Avionët luftarakë të Mbretërisë së Arabisë Saudite nisën bombardimet ndaj pozicioneve të milicisë huthite të Jemenit, duke shkatërruar bazën ajrore të Sanasë dhe pjesën më të madhe të mbrojtjes së tyre ajrore, siç njoftuan të enjten në mëngjes agjencitë saudite të lajmeve.
Mbreti Selman ibn Abdul-Aziz urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore mbi milicinë huthite, e cila mbështetet nga Irani, të enjten në orën 00:00 sipas kohës së Rijadit, siç raporton kanali i lajmeve "El-arabije", duke shtuar se forcat ajrore të Mbretërisë së Arabisë Saudite kontrollojnë tashmë plotësisht hapësirën ajrore të Jemenit.
Pak kohë më pas ambasadori i Arabisë Saudite në Uashington, Adil El-Xhubejri njoftoi se Mbretëria ka nisur një operacion ushtarak që përfshin sulmet ajrore në Jemen kundër luftëtarëve huthinj, të cilët kanë forcuar kontrollin e tyre mbi qytetin jugor të Adenit, ku është strehuar presidenti i vendit.
El-Xhubejri u tha gazetarëve se një koalicion prej dhjetë vendesh i është bashkuar fushatës ushtarake për të mbrojtur qeverinë legjitime të presidentit jemenas Abdu-Rabbih Mensur Hadi.
"Ne do të bëjmë gjithçka që duhet bërë për të mbrojtur qeverinë legjitime të Jemenit nga rënia," tha El-Xhubejri./Shembulli/